Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, kanë vizituar sot Komunën e Kaçanikut, me ç’rast janë pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Sabedin Vishi.
Tasholli dhe Hoxha e njoftuar kryetarin Vishi me misionin e platformës “Liria ka Emër” dhe me aktivitetet në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.
“E falënderojmë kryetarin për pritjen që na e bëri dhe gatishmërinë e tij për ta mbështetur pa rezervë Marshin”, tha Tasholli.
“Të gjithë bashkë, me kryetarin e Kaçanikut, me ekzekutivin, me kuvendin dhe me qytetarët i ftoj t’i bashkohen Marshit”, shtoi Hoxha.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Sabedin Vishi, u zotua se kjo komunë dhe qytetarët e saj do të mobilizohen për pjesëmarrje masive në këtë Marsh.
“Ftoj qytetarët e Kaçanikut që t’i bashkangjiten Marshit paqësor. Drejtësi për çlirimtarët, jo politikë”, bëri thirrje Vishi.
Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës, me synimin e një mobilizimi sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.






