Kërcënimi i presidentit rus Vladimir Putin për përdorimin e armëve bërthamore “mund të bëhet realitet”, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, shkruan CNN.
“Ndoshta dje ishte bllof. Tani, mund të jetë një realitet,” tha Zelensky për CBS në një intervistë që u transmetua të dielën.
“Unë nuk mendoj se ai po luan bllof.”
Putin njoftoi përshkallëzimin e tij ushtarak gjatë një fjalimi kombëtar të mërkurën, në një përpjekje për të forcuar fushatën ushtarake të Moskës në Ukrainë.
Ai bëri thirrje për rritjen e rekrutimit ushtarak, me ministrin e mbrojtjes Sergei Shoigu që konfirmoi më vonë se vendi do të thërrasë 300,000 rezervistë për të luftuar në Ukrainë, një strategji që tashmë është përballur me reagime në formën e protestave të nxehta në vend.
Duke folur për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, Putin paralajmëroi se “ata që përpiqen të na shantazhojnë me armë bërthamore duhet të dinë se erërat mbizotëruese mund të kthehen në drejtimin e tyre”.
Pas komenteve të Putinit javën e kaluar, Zelensky tha se Rusia po përpiqej të shfrytëzonte pushtimin e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainën jugore.
“Ai dëshiron të trembë gjithë botën. Këto janë hapat e parë të shantazhit të tij bërthamor”, tha ai.
“Unë mendoj se bota po e frenon këtë kërcënim. Ne duhet të vazhdojmë të ushtrojmë presion mbi të dhe të mos lejojmë që ai të vazhdoj.”