VV ka grupin më të madh në Kuvendin e Kosovës, megjithatë jo më të konsoliduarin. VV po përpiqet që të mbajë bashkë dhe nën kontroll një grup ku gravitojnë deputetë nga rryma të ndryshme ideologjike që rrjedhin nga një listë zgjedhore gjithëpërfshirëse, që qëllim kishte maksimizimin e votës.
Përçarjet dhe tensionet mes deputetëve duket se kanë qenë të vështira që të mbahen të fshehura për publikun. Shpesh ka pasur raste kur ato kanë dalë në sipërfaqe, e tani, prej që shefi i grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi tha se tetë deputetë të koalicionit qeverisës kanë shprehur interes t’i bashkohen LDK-së, kanë filluar spekulimet se cilat mund të jenë largimet nga VV.
Express sjellë disa prej përplasjeve brenda grupit parlamentar të VV-së, kur ato dolën në sipërfaqe.
Haki Abazi
Haki Abazi ishte ndër personat më të votuar në zgjedhjet e vitit 2019 dhe si pasojë u “shpërblye” me postin e zv.kryeministrit. Por në zgjedhjet e fundit ai mezi u fut si deputet dhe si pasojë, iu hoqën edhe disa prej privilegjeve që i pati në Qeverinë Kurti 1. Ai kishte një përplasje me Fitore Pacollin në Komisionin për Punë të Jashtme.
E tëra kjo nisi gjatë kohës sa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti po kërkonte nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla që të përgjigjej në pyetjet që i parashtroi ai, në mbledhjen raportuese të saj.
Deputetja Pacolli e tërhoqi vërejtjen që siç tha ajo, të diskutojnë për çështje profesionale. Abazi i tha se Haliti është deputet dhe ka të drejtë të shprehë mendimin e tij.
Ai së fundi nuk votoi as Byronë për konfiskimin e pasurisë së jashtëligjshme. Në emisionin DPT te Fidani në T7, ai shprehi qartë pakënaqësinë me mënyrën se si grupi parlamentar po udhëhiqet.
A po formon Fatmir Humolli grup parlamentar të ri?
Mendimet e ndryshme mes deputetit Fatmir Humolli dhe VV-së rreth çështjes së veteranëve të UÇK-së duket se e kanë bërë këtë të parin që mendojë të ardhmen jashtë subjektit. Gashi i LDK-së ka thënë mbrëmë se ai po mendon të formojë grupin e tij parlamentar.
Së fundmi ai ka folur për mediat dhe ka thënë se është i gatshëm t’i bashkohet një grupi të ri parlamentar, nëse qeveria vazhdon të tregohet e ngathët.
“Nëse vazhdon kjo ngathtësi e Qeverisë për të përmbushur zotimet elektorale, duhet të bëhen ndryshime qeveritare. Unë për vete pa këto ndryshime nuk mund të qëndrojë brenda grupit të LVV-së, pasi nuk po realizohen asnjëra nga kërkesat e mia personale për çfarë unë jam futur në listën e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ai.
“Shpërthimet” e Dimal Bashës
Se disa në VV nuk janë të kënaqur me disa prej deklaratave të deputetit të VV-së, Dimal Basha, tanimë dihet. Një deklaratë e tij në një seancë që kinse në VV “kanë përgatitur hallvë” për kthimin në sistem të një termocentrali bëri që Mimoza Kusari Lila dhe disa deputetë të kishin konfrontime me të në Kuvend, ngjarje e cila u kap në kamera.
Së fundi, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, u distancua nga deklaratat e tij për gjykatësit dhe prokurorët.
Votimi i Projektligjit të Kodit Civil
Votimi i Projektligjit për Kodin e ri Civil ishte shpërfaqje e mendimeve kundërthënëse që ekzistojnë për momentin në VV. Përkundër kërkesës së kryeministrit Albin Kurti në seancën e Kuvendit kur parashihej të votohej ky projektligj, disa deputetë e VV-së votuan kundër e madje kishin edhe replika mes tyre. Mes kundërshtuesve ishte edhe kryetari i Kuvendit dhe eksponenti i rëndësishëm i partisë, Glauk Konjufca.
Projektligji është paralajmëruar të kthehet në Kuvend edhe një herë në të ardhmen e afërt, me plotësimet e rekomanduara nga Komisioni i Venecias.
Video 1: KETU
Video 2: KETU