Presidentja Vjosa Osmani nuk ia ka aprovuar disa propozime për konsuj të përgjithshëm ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Kështu ka thënë për lajmi.net deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.
Ajo në një mbledhje të Komisionit për Punë të Jashtme i kishte thënë ministres se presidentja nuk po ia aprovon propozimet, teksa në një intervistë për lajmi.net ajo tregoi se bëhet fjalë për emërimin e disa konsujve të përgjithshëm.
“Ka të bëjë me konsuj të përgjithshëm që ministrja i ka paraqit dhe presidentja nuk i ka vlerësu që janë personat e denjë që të jenë konsuj të përgjithshëm. Me emra nuk do të doja që sot të flas sepse nuk e kam ende dokumentin në dorë, e kam vetëm si informatë që është e sigurtë”, tha Musliu-Shoshi.
Tutje ajo porositi mediat që ta hulumtojnë këtë rast, sepse sipas saj, personalisht nuk po i ofrohet qasja në dokumente zyrtare.
“Ju si media duhet të kërkoni më shumë transparencë, sepse ata nuk janë transparent, nuk na lejojnë qasje në dokumente zyrtare, nuk na kthejnë përgjigje kur ne i kërkojmë Sekretarit permanent apo kabinetit të ministres, prandaj vlerësoj se pushteti i vetëm që mund të marr informatë jeni ju si media”, deklaroi ajo.