2.2 C
New York
Friday, January 31, 2025

Buy now

Përçahen grevistët e Trepçës: Pas 9 ditë greve, minatorët e Artanës e Kishnicës e nisin punën

Në mëngjes, menaxhmeti i Trepçës njoftoi se një pjesë e minatorëve, më saktëisht ata të minierës në Artanë dhe Kshnicë, kanë filluar punën. Një nismë të tillë, menaxhmeti e ka cilësuar si vendim të duhur dhe shumë të drejtë.

“Minatorët e Artanës dhe punëtorët e flotacionit në Njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë e ndërpresin grevën dhe i rikthehen punës. Vendim i duhur dhe shumë i drejtë nga minatorët dhe punëtor e Kishnicës dhe Artanës.

Me FAT!” – shkruhej në faqen e Facebook-ut të gjigantit të Trepçës.

Ndryshe dje Lëvizja Vetëvendosje u pozicionua kundër grevës së minatorëve të Trepçës. Madje, përmes një videoje në faqen e tyre në Facebook, VV-ja bëri një ndërlidhje në mes minatorëve dhe “nëntokës së politikës së vjetër”.

Videoja e publikuar mbrëmë ishte nga debati në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ku nuk mori pjesë ministrja Artane Rizvanolli. Përtej videos, mbishkrimi i përzgjedhur nga VV-ja është absolutisht i çuditshëm.

“Është nëntoka e politikës së vjetër jo punëtorët e minierës. Janë partitë e vjetra që i kanë marrë gjithçka Trepçës, deri edhe Terminalin Doganor, që sot bëjnë zhurmë. Janë këta politikanë të vjetër duart e të cilëve janë hequr përfundimisht nga Trepça që tash provojnë forma të pista për ta rikthyer pushtetin e humbur në Trepçë.” – shkroi VV-ja në mbishkrimin e videos.

Ndryshe, tashmë janë bërë 9 ditë që nga nisja e grevës së urisë të minatorëve. Ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë kërkuar edhe trajtim mjekësor për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi, është suspenduar nga menaxhmenti i Trepçës, një vendim që u kritikua ashpër.

Po ashtu, dy ditë më parë, menaxhmenti i Trepçës e kishte bërë një postim me përmbajtje skandalozë. Në shkrimin e tyre, grevistët cilësoheshin si sabotues.

“Sabotimi dhe bojkotimi i punës nuk është zgjidhja e problemeve. Fotot më poshtë janë vetëm disa nga ato që janë marrë nga kamerat e sigurisë të Trepça Sh.A. dhe që janë vendos për të ruajtur pronën dhe sigurinë e ndërmarrjes. Nga këto foto shihet qartë sabotimi dhe bojkotimi i punës, hyrje dalje të pakontrolluara të punëtoreve si dhe sjellja e drekave e darkave për sabotuesit. Menaxhmenti i Trepça Sh.A. do të ndërmerr shumë shpejtë vendime që do të bazohen në argumente dhe fakte, të cilat do të ndihmojnë që ndërmarrja të kthehet në binarët e vet të funksionalizimit. Për Trepça Sh.A.!” – shkruhej në reagimin e Trepçës.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit