Mirëpo ata janë shprehur të shqetësuar se në Kosovë nuk ka ndonjë hulumtim nga institucionet përgjegjëse në lidhje më ketë fenomen. Madje kanë bërë thirrje që institucionet të bëjnë hulumtime dhe strategji për parandalimin e vetëvrasjeve.
Bind Skeja, drejtori i “Linjës së Jetës”, tha se në Kosovë nuk kanë të dhëna sa i përket dukurive që dërgojnë personat në kryerjen e vetëvrasjeve, kjo pasi sipas tij, kjo çështje është një teren i pa prekur prej shumicës së politikë-bërësve.
Ai tha se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për këtë çështje, për këtë ai ka kërkuar që të krijohet edhe një strategji shtetërore për parandalim të vetëvrasjes.
“Globalisht po, varfëria ndikon, diskriminimi ndikon, varësisht prej grupeve demografike ato preken në mënyra të ndryshme. Po në Kosovë nuk mund të them diçka definitive, pikërisht për shkak që është teren totalisht i pa prekur prej shumicës të politikë-bërësve. Me thanë që kanë bërë mjaftueshme institucionet është totalisht gabim, as minimalja nuk është bërë, do të thotë gjëja më i vogël që mundet me u bë nga shteti është një strategji për parandalim të vetëvrasjes, strategji shtetërore”, tha ai.
Ai ka thënë se Ministria e Shëndetësi do të duhet që të bënte hulumtime që të kuptohej niveli i problemit edhe të merren hapat për intervenim. Ai tha se për këtë janë të gatshëm t’i ndihmojën Qeverisë.
“Ministria e Shëndetësisë për shkak që ata e kanë përgjegjësin kryesore, edhe me i nda pikat që pas katër, pesë viteve, çka po synojmë na me qenë. Çka po synojmë na me pru, çka janë shërbimet dhe çka janë informata që dëshirojmë mi pas. Hapi i parë këtu kish qenë që më zhvillu hulumtime që me kuptua nivelin e problemit edhe me kuptua ku janë hapat për intervenim. Ne moment na nuk kemi as shërbime, por nuk kemi kërkon që është tu u marr më analizën e problemit. Ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm që me i ndihmuar qeverisë për me mbërri këtë gjë”.
Skeja tha se thirrjet që pranon kjo organizatë nuk regjistrohen, por sipas tij, zakonisht nga thirrësit janë të rasteve të dhunës në familje, problemeve ekonomike, të diskriminimit.
“Ka bajagi raste të dhunës në familje, ka raste që kanë probleme ekonomike, ka raste të diskriminimit, janë të shumëllojshëm. Çka ka më shumë, çka më pak nuk mund të them”, tha ai
Njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala, ka thënë se çështja e vetëvrasjeve është shqetësuese pasi sipas tij, personat që kanë kryer vetëvrasje janë të moshave të reja.
“Unë mendoj se çështja e vetëvrasjeve në Kosovë është shqetësuese për faktin që kryesisht janë të moshave të reja. Kjo po e atakon në mënyrë të drejtpërdrejt edhe mirëqenien e qytetareve në tersi. Pra duhet të shikohet në aspektin, psikologjik, në aspektet e tjera se çka i ka shtyre këta të ri që të ndërmarrin veprime të caktuara. Kryesisht sipas asaj që dihet jo zyrtarisht, procesi i kryerjes së vetëvrasjes, ka në vetë vete një presion psikologjik që ndërlidhet kryesisht ose nga obligimet që mund të kenë ndaj palëve të treta. E si rezultat i mos përmbushjes së obligimeve, njerëz të caktuar kryen vetëvrasje si shkak ekonomike. Si shkak i ndarjeve të caktuara shpirtërore me dike tjetër”, tha ai.
Shala ka thënë se shteti do të duhet që të bëjë analiza të detajuar të këtyre vetëvrasjeve, ku më pas të merren masa që të parandalohet kjo dukuri.
“Çka mund të bëjë shteti është çështjet në aspektin ekonomiko-social-shoqëror, të ndërhyjë në aspektin e shtrirjes së ndikimit të saj, qoftë në programe të caktuara, qoftë edhe në mbështetje t’i vije niveleve më të ulëta. Procesi i vetëvrasjeve në Kosovë do të duhej të merrej në aspektin edukativo-arsimor, të trajtohen elemente të caktuara, të bëhet analiza më të detajuar e personit që ka bërë vetëvrasje dhe nga aty të merren informacione se cilat fokus grupe mund të jenë të atakuar dhe mund të bëhet ndonjë parandalim i caktuar ndaj këtyre dukurive”, tha ai.