12 C
New York
Tuesday, November 25, 2025

Buy now

Për pak javë, presidentja katër herë bëri “zëdhënësen” e VV-së: Këto janë rastet

- Advertisement -
Që kur në Kosovë nisi kriza e bllokada politike, ajo që do të duhej të ishte unifikuesja është presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Megjithatë, në vend të një figure unifikuese, Osmani u kthye në “zëdhënëse” të Vetëvendosjes.

Madje, kjo ndodhi në disa raste. Le ta nisim nga e para.

Fillimisht, VV-ja insistoi se Kuvendi ishte konstituuar edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit serb. Presidentja Osmani doli në konferencë për media dhe e mbrojti qëndrimin e njëjtë.

“Në rrethana kur bllokohet puna e Kuvendit, përkundër faktit që kryesia ka kuorum, pamundësohet ushtrimi i sovranitetit. Bllokimi i Kuvendit për mos përzgjedhjen e një nënkryetari, përderisa kryesia ka kuorum, do t’i cenonte në mënyrë serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar republika jonë”, tha Osmani.

“Përderisa kemi kryetar, ka kuorum dhe kryesi, Kuvendi nuk duhet të bllokohet. Pozita që i takon komunitetit serb mbetet për komunitetin serb. Askush nuk do ta zërë atë vend, ai do të plotësohet në një seancë të radhës”, theksoi ajo.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi pretendimet e presidentes që është jurist, duke konstatuar se Kuvendi nuk është i konstituuar pa një nënkryetar serb.

E dyta. Vjosa Osmani ia dha mandatin Glauk Konjufcës, edhe pse krejt Kosova e dinte që ai nuk ka asnjë mundësi të sigurojë shumicë. Madje, as nuk pati tentime për një gjë të tillë, përveç shtyrjes së afatit deri në fund të dhjetorit për zgjedhje.

“Askund në Kushtetutë dhe aktgjykime nuk kërkohen garanci, kërkohen gjasa dhe ka dallim të madh mes garancisë dhe gjasës. Garancia jepet në Kuvend, kurse gjasat ofrohen në zyrën time. Sikur të ishin dy apo më shumë kandidatë unë duhet ta shihja se kush i ka gjasat më të mëdha. Nga LVV-ja kanë besim të plotë se mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo ju takon atyre që t’i bëjnë votat. Mua më takon që të bindem që kanë gjasa dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa”, tha e para e shtetit.

Konjufca nuk pati vota, ndodhi ajo që Vetëvendosje e kërkonte. Mbajtjen e zgjedhjeve më 28 dhjetor, pavarësisht se ish-opozita kërkoi më 21 dhjetor. Edhe këtu, Osmani e dëgjoi Kurtin.

“Cilido president i përgjegjshëm do ta kishte zgjedhur një datë ku parashikohet pjesëmarrje më e madhe jo më e vogël. Këtë e kërkon demokracia, nuk kërkon të zgjidhen data kur ka pjesëmarrje me e vogël, nuk kërkon të zgjidhen data kur kemi probleme në organizimin e tyre, nuk kërkon të zgjedhën data që bëjnë të pamundur realizimin praktik dhe të rregullte të zgjedhjeve. Një president i përgjegjshëm zgjedh datën më të mirë, përkundër dëshirave”- tha Osmani.

Dhe e katërta herë kur presidentja ishte në një linjë me VV-në, ndërlidhet me çështjen e buxhetit 2026, buxhetin e Prishtinës e Gjilanit. Presidentja mori bajrakun duke sulmuar opozitën.

“Qëllimisht i kam ftuar partitë politike dhe i kam lutur, ju lutem para se ta shpërndajë Kuvendin, kthenu në sallën e Kuvendit e unë ju pres këtu. Miratoni marrëveshjet ndërkombëtare prej 1.1 miliard të cilat kërkojnë 2/3, miraton buxhetet. Kam kërkuar nga kryeministri, i kam thënë a mundesh me heq dorë nga buxheti 2026 dhe të trajtohen vec me pikat tjera dhe ai është pajtuar që të hiqet çështja e buxhetit 2026 dhe të shkohet në seanca me 1.1 miliardë, buxhetin e Prishtinës, Gjilanti dhe zgjatjen buxhetore por nuk ka pasë dakrodim nga partitë e tjera. Mundësi ka pasë por jo edhe vullnet politik. Unë kam shfrytëzuar çdo instrument dhe duhet t’i pyesin ata pse i kanë refuzuar këto propozime”, tha Osmani.

Këto qëndrime të Osmanit, janë kritikuar ashpër nga ish-kryetari i Gjykatës Kushetuese, Enver Hasani.

Sipas tij, kërkesa e presidentes që deputetët të kthehen në Kuvend për të miratuar buxhetin pasi kishte dështuar mandatari i dytë ishte qesharake.

“Masi me automatizëm shkohet në zgjedhje, Vjosa thoshte i luta edhe një herë deputetët me u kthy në Kuvend me e miratu buxheti. Ajo mund t`i falet zëdhënësit të VV-së, por jo presidentes së Republikës. Për fat të keq, kur po e shoh atë dhe disa kolegë po turpërohem se njëkohësisht janë edhe jurist dhe janë do gjera jashtëzakonisht elementare dhe po ndihem i turpëruar që me kaq paskrupullesi shkelin etiken bazike profesionale. Kjo përudhë do të mbahet mend për shumëçka”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, këto pretendime presidentja i ka bërë pasi e kishte nënshkruar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

Po të ishte zëdhënëse e VV-së është në rregull. Se me thanë kështu, pasi e ka pas edhe të nënshkruar(dekretin për shpërndarjen e Kuvendit). Po edhe hiç mos me e pas është e qartë që shkohet me automtizme në zgjedhje, në një nen tjetër atje i kallxon se kur bëhet shpërndarje e Kuvendit me automatizëm dhe ka një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që e ka qëndis, që tregohet kur shkohet me automatizëm”, ka thënë Hasani.

Reagim të ashpër pati mbrëmë edhe Albert Krasniqi.

”Presidentja e vendit, e cila sipas Kushtetutës është garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve, po shfaq përfshirje të hapur në procesin zgjedhor, duke cenuar seriozisht rendin kushtetues”, tha ai, duke iu referuar deklaratave për veprimet e ish-partive opozitare në lidhje me buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare. /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit