Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka disa ditë që po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë qëndrimit në ShBA, u tha se ai do të takohet po ashtu me pjesëtarë të komunitetit shqiptar dhe me përfaqësues të shoqatave të diasporës.
Por, sikurse nuk u tha as në njoftimin e qeverisë, Kurti nuk pati ndonjë takim të rëndësishëm atje me krerë të shtetit amerikan.
Deri më tani, nuk është takuar as me presidentin Trump, e as me zëvendësin e tij, JD Vance.
Kjo gjë, sipas Kurtit të para 5 viteve, do të konsiderohej debakël.
“…të shkosh në Shtëpinë e Bardhë si president i Republikës, të qëndrosh disa ditë, të mos e takosh presidentin amerikan, të mos e takosh as zëvendës-presidentin amerikan, e të kthehesh pa marrëveshje politike, e të kthehesh pa ndonjë investim në ekonomi, është debakël”.
“Unë mendoj që ishte e turpshme shkuarja dhe kthimi i presidentit aktual pa u takuar as me të parin, as me të dytin dhe pa bërë as marrëveshje politike, e pa sjellë ndonjë investim ekonomik. Çfarë shpenzojmë ne me këtë president që pëson këso dështimesh. Të ishin të tij do ia bënim kollaj, por i bën në emër tonë, e qe besa edhe me paratë tona. Por, mbase siç kemi Qeveri të re duhet të kemi edhe president të ri”, shprehej kryeministri Kurti në seancën e jashtëzakonshme të 11 marsit të vitit 2020.
Sipas njoftimeve zyrtare, kryeministri në detyrë Kurti, gjatë vizitës aktuale në ShBA, deri më tani ka takuar 3 kryeministra dhe një ministër të jashtëm, pesë kongresistë, një ish-kongresist dhe disa shoqata shqiptaro-amerikane. Ai po ashtu u tha se ishte folës kyç në diskutimin e Institutit Zolberg me temë “Mbështetja e qytetarëve të thjeshtë në një krizë ekonomike globale: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova” si dhe mori pjesë në diskutimin me temë “Partneriteti në rritje Kosovë – ShBA në mbrojtje dhe zhvillim” në Institutin Hudson.