Një rrjet mashtruesish po grabit qytetarët e Kosovës, duke keqpërdorur platformën kryesore ku ruhen të gjitha të dhënat personale të vendit, “eKosova”.
Qytetarët po përballen me mesazhe urgjente të rreme, ku përdoret emri dhe autoriteti i Policisë së Kosovës për t’i frikësuar dhe detyruar të paguajnë qindra euro për “gjoba trafiku”, raporton Kiks Kosova.
Të dhënat personale dhe paratë janë shënjestër e mashtruesve online, të cilët përfitojnë nga kujdesi i pakët i qytetarëve.
Policia e Kosovës paralajmëron se qytetarët po kanosen nga një rrezik kibernetik përmes mesazheve të rreme.
Këto mesazhe, të dërguara kinse nga Posta e Kosovës ose Policia, kanë për qëllim të marrin të dhëna personale dhe para nga qytetarët.
Disa ditë më parë, Policia kishte paralajmëruar qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre mesazheve, duke theksuar se çdo njoftim për gjoba apo pagesa është mashtrim.
Kujdes të shtuar nga qytetarët kishte kërkuar edhe Posta e Kosovës nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, duke ua shpjeguar se ai mesazh nuk vjen nga ky institucion.
Kiks Kosova ka dërguar pyetje në Agjencinë e Shërbimit të Informimit të Kosovës (AShI) të cilët nëpërmjet një përgjigje të shkruar kanë kërkuar që përgjigje të merren në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Ekipi ka pyetur MPB-në për këtë mashtrim që po ndodh mirëpo deri në momentin e transmetimit, në adresën e emisionit nuk janë dërguar përgjigje. /Klankosova.tv/






