8.5 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Për armët bërthamore: “Kurrë mos thuaj kurrë”

- Advertisement -

Kanë kaluar më shumë se tri dekada qëkur udhëheqësi i fundit i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, ka deklaruar se “rreziku i luftës globale bërthamore praktikisht është zhdukur”.

Moska dhe Uashingtoni kanë kaluar “nga konfrontimi në bashkëveprim dhe, në disa raste të rëndësishme, në partneritet”, ka thënë Gorbachev në ceremoninë e pranimit të Çmimit Nobel për Paqe, në vitin 1990.

Tridhjetë e dy vjet më vonë, gjërat janë ndryshe. Kërcënimi bërthamor është kthyer dhe e paparamendueshmja dikur, nuk është më e tillë. Presidenti rus, Vladimir Putin, qëkurse ka nisur luftën në Ukrainë, rikujton vazhdimisht botën për fuqinë bërthamore të vendit të tij.

Me afro 6,000 koka luftarake, Rusia ka arsenalin më të madh bërthamor në botë. Vetëm tre ditë pas nisjes së luftës në Ukrainë, më 24 shkurt, Putin i ka kërkuar komandës së tij ushtarake që t’i vendosë forcat parandaluese – një referencë kjo për armët bërthamore – në gjendje gatishmërie.

“Kam urdhëruar ministrin e Mbrojtjes dhe shefin e shtabit të përgjithshëm që t’i vendosin forcat parandaluese të ushtrisë ruse në gatishmëri të lartë luftarake”, ka thënë Putin.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kërcënimi nga sulmet bërthamore mbetet i ulët, por nuk mund të injorohet.

Në një shkrim në fund të majit për gazetën New York Times, presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se tash për tash “nuk ka shenja që tregojnë se Rusia ka për qëllim të përdorë armë bërthamore në Ukrainë, por retorika e herëpashershme ruse për shpërthimin e arsenalit bërthamor është vetvetiu e rrezikshme dhe jashtëzakonisht e papërgjegjshme”.

Kjo retorikë, sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm, ka bërë që shumë shtete të tjera që posedojnë armë bërthamore, të mendojnë për strategjitë e tyre.

Sipas një raporti që ky institut ka publikuar më 13 qershor, nëntë fuqitë bërthamore në botë: Britania e Madhe, Kina, Franca, India, Izraeli, Koreja e Veriut, Pakistani, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, pritet të rrisin dhe modernizojnë arsenalin e tyre bërthamor. Njëri nga autorët e raportit, Matt Korda, ka thënë:

“Së shpejti, do të vijmë në pikën ku, për herë të parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, numri i armëve bërthamore në botë mund të fillojë të rritet. Ky është një lloj territori i rrezikshëm”.

Lufta e Ftohtë ka qenë një periudhë e tensioneve gjeopolitike midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, e cila ka zgjatur përafërsisht nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në fillimin e viteve ’90. Gara për supremaci në armatimin bërthamor ka qenë simbol i kësaj lufte.

Por, gjatë dekadave pasuese, palët kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh për kontrollin e këtyre armëve dhe kanë asgjësuar disa. Deri në fund të shkurtit, gjithçka është dukur se funksionon. Që atëherë e këndej – thënë me fjalët e shefit të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres – “perspektiva e një konflikti bërthamor është e mundshme”. Guterres ka thënë se vënia e forcave bërthamore ruse në gjendje gatishmërie, është një zhvillim rrëqethës.

“Thirrjet për paqe duhet të dëgjohen. Kjo tragjedi duhet të ndalet. Asnjëherë nuk është vonë për diplomaci dhe dialog”, është shprehur Guterres.

Stephen Herzog, studiues i kontrollit të armëve bërthamore në Qendrën për Studime të Sigurisë në Cyrih, thotë për Exposenë se armët bërthamore kanë evoluar në mënyra të ndryshme.

“Bombat që janë hedhur në Hiroshima dhe Nagasaki janë ato që ne i quajmë bomba të gravitetit. Ato janë bomba memece, shumë të mëdha, dhe është dashur të hidhen nga pjesa e pasme e avionëve. Për shembull, bomba e hedhur në Hiroshimë, e quajtur “Djali i vogël”, ka peshuar 14,000 tonë TNT. E gjitha është hedhur përnjëherë dhe kjo ka qenë një gjë e tmerrshme. Por, disa nga armët bërthamore që Rusia ka në arsenalin e saj sot, janë mbi 50 herë më të fuqishme se kaq”, thotë Herzog.
Armët bërthamore sot janë edhe më të shpejta, edhe më të sakta se ato të viteve 1940. Kjo nuk u jep shans sulmuesve të rimendohen apo të anulojnë sulmin, shton Herzog.

“Kur keni të bëni me raketa balistike që mund të arrijnë nga Rusia në Evropë për 20 minuta, ndoshta 22, ndoshta 18, atëherë nuk ka kohë që ato të kthehen mbrapsht. Pra, shpejtësia me të cilën mund të ndodhë lufta bërthamore sot dhe nivelet e shkatërrimit janë shumë, shumë më të mëdha, sepse, thjesht, ka një larmi më të madhe të teknologjive”, thekson Herzog.

Pavarësisht rolit të SHBA-së si ombrellë bërthamore, vendet evropiane nuk do të mund të parandalonin një sulm bërthamor me mjete ushtarake. “Ombrella” bazohet në supozimin se një kundërshtar nuk guxon t’i sulmojë vendet e NATO-s me armë bërthamore, sepse ai agresor duhet të presë pastaj kundërsulme.

Nga ky kënd, armët bërthamore mund të shihen edhe si aset për paqen, thotë Herzog, analist në Qendrën për Studime të Sigurisë në Cyrih.

“Të gjitha qytetet kryesore të NATO-s janë më pak se 30 minuta larg shkatërrimit nga armët bërthamore ruse. Shtetet e Bashkuara janë ngjashëm. Dhe, gjëja e vetme që i mbron vendet nga armët bërthamore ruse, është fakti se Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania kërcënojnë të bëjnë të njëjtën gjë kundër qyteteve ruse, nëse Rusia i sulmon ato. Ky është parandalimi bërthamor. Pra, shikuar nga kjo anë, armët bërthamore mund të shihen edhe si aset për paqen, sepse Ukraina nuk e kishte mburojën parandaluese, nuk e kishte ombrellën bërthamore të SHBA-së dhe shikoni çfarë ka ndodhur me të”, thotë ai.

I pyetur se si mund të vlerësohet rreziku i luftës bërthamore, Herzog thotë: “kurrë mos thuaj kurrë”.
Montgomery nga Qendra për Kontrollin e Armëve dhe Mospërhapjen Bërthamore, thotë se ky rrezik do të ekzistojë për aq kohë sa ekzistojnë edhe armët bërthamore.

“Mënyra e vetme e sigurt për shmangien e luftës bërthamore është shkatërrimi i armëve bërthamore në botë. Kjo natyrisht se nuk do të ndodhë brenda natës. Do të jetë një proces i gjatë, por është diçka në të cilën kemi punuar me dekada. Kjo punë sigurisht që ka ngecur viteve të fundit dhe ngjarjet si këto – [kërcënimet e Putinit] – e dëmtojnë çarmatimin dhe mospërhapjen bërthamore. Por, e vetmja mënyrë për të parandaluar përdorimin e një arme bërthamore, është shkatërrimi i armëve bërthamore”, thekson Montgomery.

Sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, në botë aktualisht janë mbi 12,700 koka bërthamore. Pjesën më të madhe të tyre e posedon Rusia – pas saj SHBA-ja.

Nga aspekti ligjor, çdo përdorim i armëve bërthamore, me ndikim masiv te civilët, paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Doktrina ushtarake ruse e lejon përdorimin e armëve bërthamore për qëllime të mbrojtjes. Në muajin prill ushtria ruse ka testuar një raketë të re ndërkontinentale, Sarmat, e aftë për të bartur mbi dhjetë koka bërthamore dhe për të goditur SHBA-në.

Rusia, megjithatë, nuk është kërcënuar nga ndonjë rival bërthamor. Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë paralajmëruar se përdorimi eventual i armëve bërthamore nga shteti rus, do të ishte i papranueshëm dhe do të kishte pasoja masive, por nuk i kanë specifikuar ato./REL/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit