Me vetëm 1 veturë rrezikon të mbesë zyra për mbrojtjen e viktimave në Prishtinë.
Kjo për shkak se një veture tjetër të cilën e kanë shfrytëzuar deri më tash, duhet që ta kthejnë muajin tjetër, për arsye se kontratës i skadon afati.
Ky institucion publik, është njëri nga shumë institucionet në Kosovë që kanë shfrytëzuar për 5 vite e gjysmë vetura me qera.
Agjencia Qendrore e Prokurorimit, gjatë vitit 2018 ka nënshkruar dy kontrata për marrjen e mbi 350 veturave, duke i kushtuar buxhetiti rreth 7 milionë euro.
Një tender i ri, me një shumë të ngjashme është hapur edhe këtë muaj nga AQP-ja. Por, këtë herë me rreth 7 milionë euro, është planifikuar të blihen 240 vetura për institucione të ndryshme të Kosovës.
Sipas dosjes së tenderit, më shumë vetura do i dedikohen Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, KGJK-së e KPK-së.
Por një nismë e tillë, po shihet e vonuar nga Lëvzia FOL.
“Ato vetura të cilat janë paguar me qera janë paguar dyfish sesa do i kushtonte qeverisë për të blerë ato vetura, gjë që është diskutabile sepse më e nevojshme dhe më e arsyeshme kishte qenë me i ble sesa me i marr me qera, sepse kjo i kushton kosto të dyfshitë buxhetit”, ka deklaruar Viola Bunjaku – Lëvizja FOL.
Sipas Bunjakut, institucionet do duhej të i përdornin edhe veturat që shpesh i qesin në shitje.
“Kemi pasur edhe para dy muaj edhe shitje të veturave që kanë qëndruar në garazhed e qeverisë, dhe kështu kemi një shpenzim të buxhetit dhe është keqmenaxhim i parasë”, ka deklaruar Viola Bunjaku – Lëvizja FOL.
Zyrtarë brenda disa institucioneve, shfrytëzojnë veturat me qera, i kanë thënë televizionit se nga muaji korrik duhet të i kthejnë të gjitha veturat dhe se do të jetë kaos si shkak i numrit të vogël të veturave që kanë.
Nga Agjencia Qendrore e Prokurorimit kanë thënë se tenderë për vetura me qera do të ketë vetëm për trupat inspektuese, bazuar në vendimin e ekzekutivit.
“Të gjitha kontratat e centralizuara të nënshkruara nga AQP janë të publikuara në web faqen e AQP-së, në linkun: https://aqp.rks-gov.net/kontratat-e-centralizuara/ , pra këtu mund të gjeni edhe kontratat “Shfrytëzimi afatgjatë i automjeteve me qira” ku mund t’i gjeni të gjitha të dhënat lidhur me kontratat në fjalë. Ndërsa ju njoftojmë që AQP ka shpallur procedurën e prokurimit fillimisht për furnizim me vetura për institucionet e Republikës së Kosovës, kjo pas vendimit të Qeverisë të datë 26.04.2023 (procedura është e hapur dhe e qasshme për të gjithë në e-prokurimi). Ndërsa shumë shpejt do të publikohet edhe aktiviteti i prokurimit “Vetura me qira për trupat inspektuese” edhe kjo bazuar në vendimin e njëjtë të Qeverisë me nr.07/140. Pra Momentalisht AQP është e autorizuar për zhvillimin e aktivitetit të prokurimit për marrje me qira të veturave vetëm për trupat inspektuese”, ka theksuar Agjencia Qendrore e Prokurimit.
Institucionet që më së shumti kanë shfrytëzuar veturat me qera janë Këshilli Gjyqësor, Policina e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, e disa prej ministrive.