Pentagoni ka urdhëruar rreth 1.500 ushtarë aktivë të përgatiten për një dislokim të mundshëm në shtetin e Minesotës, në rast se situata e sigurisë përkeqësohet. Lajmi raportohet nga Washington Post, duke cituar zyrtarë të mbrojtjes, ndërsa Reuters bën me dije se nuk ka mundur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur informacionin.
Sipas raportimit, njësitë ushtarake kanë marrë urdhra gatishmërie për t’u dislokuar nëse dhuna në shtet përshkallëzohet. Zhvillimi vjen pas kërcënimit të presidentit Donald Trump për të aktivizuar “Ligjin për Kryengritjen”, nëse autoritetet e Minesotës nuk ndalin protestuesit që, sipas tij, po sulmojnë agjentët e shërbimit federal të emigracionit (ICE).
“Nëse politikanët e korruptuar të Minesotës nuk zbatojnë ligjin dhe nuk ndalin traziraxhinjtë profesionistë që sulmojnë agjentët patriotë të ICE, do të zbatoj Ligjin për Kryengritjen”, shkroi Trump në një postim në rrjetin Truth Social.
Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar.
Protesta kundër ICE në Minneapolis
Ndërkohë, qindra protestues kundër ICE dolën në rrugë të shtunën në Minneapolis, duke penguar një grup të vogël aktivistësh të ekstremit të djathtë që synonin të marshonin drejt një zone me popullsi të madhe emigrantësh.
Protestuesit u mblodhën pranë bashkisë së qytetit, duke mbajtur pankarta dhe duke kërkuar largimin e ICE nga Minesota. Rreth mesditës, ata rrethuan një grup prej rreth 10 aktivistësh të ekstremit të djathtë, duke i detyruar të tërhiqeshin. U raportua edhe hedhje balonash me ujë, në kushte temperaturash shumë të ulëta, rreth -20 gradë Celsius.
Policia mbajti distancë gjatë protestave. Pas rreth një ore, grupi i ekstremit të djathtë u largua dhe u strehua në një hotel aty pranë. Pati disa përplasje të vogla verbale, por nuk u raportuan incidente serioze.
Tensionet në Minneapolis mbeten të larta, ndërsa qyteti ende është i tronditur nga vdekja e Renee Good, e cila u qëllua për vdekje nga një agjent i ICE rreth 10 ditë më parë.






