Rreth 140 ushtarë amerikanë janë plagosur në luftën me Iranin, përfshirë tetë që janë në gjendje të rëndë, njoftoi sot Pentagoni, duke dhënë bilancin e parë zyrtar të të plagosurve amerikanë që nga fillimi i konfliktit, raportojnë mediat amerikane.
Sipas zëdhënësit të Pentagonit, Sean Parnell, shumica e plagëve janë të lehta dhe 108 ushtarë janë rikthyer tashmë në detyrë pas trajtimit mjekësor. Tetë ushtarët e plagosur rëndë po marrin kujdes mjekësor të specializuar.
Konflikti mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Iranit ka hyrë në javën e dytë, ndërsa sulmet dhe kundërsulmet vazhdojnë në disa pjesë të Lindjes së Mesme. Sulmet iraniane kanë shënjestruar bazat ushtarake amerikane dhe objektiva të tjera në rajon.
Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se operacionet ushtarake kundër objektivave iraniane vazhdojnë, ndërsa administrata në Uashington pretendon se kapacitetet raketore dhe ushtarake të Iranit janë dobësuar ndjeshëm nga sulmet ajrore.
Lufta, e cila filloi në fund të shkurtit me sulme të gjera ndaj objektivave iraniane, ka rritur tensionet në gjithë rajonin dhe ka shkaktuar shqetësime ndërkombëtare për një përshkallëzim më të gjerë të konfliktit.
Në Uashington, ligjvënësit kanë kërkuar më shumë transparencë për strategjinë e luftës dhe pasojat e saj, ndërsa tregjet globale dhe çmimet e energjisë kanë reaguar ndaj pasigurisë së krijuar nga konflikti.






