Sot, në 5 qershor 2025, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, mbush 65 vjeç dhe arrin moshën e pensionimit. Sipas biografisë së tij, Kurteshi ka lindur në 5 qershor 1960, në Gjilan.
Por, ajo që mbetet e paqartë është nëse kjo do të jetë dita e fundit e angazhimit të tij në këtë institucion apo presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk do të respektojë Ligjin e Punës në Kosovës, raporton Periskopi.
Ligji i Punës në Kosovë, në nenin 67, parasheh kufizimin e marrëdhënies së punës, e cila duhet të ndërpritet kur i punësuari e mbush moshën e pensionimit, prej 65 vjeç.
Sipas Kushtetutës, KQZ-ja është organ i përhershëm dhe puna e këtij institucioni është e organizuar në mënyrë të vazhdueshme dhe jo vetëm gjatë zgjedhjeve.
Kjo do të thotë se 11 anëtarët e KQZ-së që emërohen nga Presidenti i Republikës nuk janë anëtar të ngjashëm me anëtarët e bordeve të Agjencioneve tjera shtetërore që themelohen nga Kuvendi dhe që puna e tyre është e organizuar me orar të pjesshëm.
Përfaqësuesi i partisë së Albin Kurtit në KQZ, Kurteshi, është i njohur për sjelljet e tij arrogante në raport me mediat dhe sidomos për përplasjet e shpeshta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve gjatë numërimit të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në shkurt të këtij viti.