Emri i deputetit të Partisë së Gjelbër dhe ish-ministrit të jashtëm, Pekka Haavisto, është përmendur si kandidat i mundshëm për emisar të ri special të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe për çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor, raporton gazeta finlandeze.
Sipas informacioneve të Helsingin Sanomat, Finlanda është e gatshme të promovojë Haaviston për këtë detyrë.
“Haavisto, i cili aktualisht ndodhet në një udhëtim pune, nuk ka pasur ndonjë koment mbi këtë çështje”, shkruan gazeta.
Haavisto më parë ka shërbyer si përfaqësues special i BE-së për Sudanin, lidhur me negociatat për marrëveshjen e paqes në Darfur. Në Ballkan, ai ka punuar për Programin e Mjedisit të Kombeve të Bashkuara, Unep.
66 vjeçari ka garuar në zgjedhjet e sivjetme presidenciale, por është mundur nga rivali Alexander Stubb, që tashmë është në krye të shtetit finlandez.
Helsingin Sanomat rikujton se emri i Haavisto është përmendur tashmë në media si një nga kandidatët e mundshëm së bashku me diplomatin danez Peter Sørensen. Sørensen ka punuar si përfaqësues special i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë. Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, po ashtu ka shfaqur gatishmërinë e tij për ta marrë këtë detyrë.