Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se ky tubim i ngjan një “demonstrimi të madh politik” dhe e cilësoi atë si “kryengritjen më të madhe politike” të qytetarëve.
Haziri në Debat Plus, ka theksuar se kjo kryengritje ishte një reagim ndaj gjuhës dhe trajtimit që, sipas tij, kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij i kanë bërë LDK-së si opozitë.
“Na ka dërrmuar e shpartalluar sot Peja. Nuk ka qenë vetëm tubim politik apo manifestim politik, por një demonstrim i madh politik. Ky është reagimi i qytetarëve ndaj ofendimeve dhe trajtimit që Kurti po i bën LDK-së,” ka deklaruar Haziri.
Ai ka shtuar se qytetarët, përmes pjesëmarrjes së tyre masive në Pejë, dërguan një mesazh të qartë se ndryshimi është i pashmangshëm.
Haziri paralajmëroi se vota e madhe e qytetarëve më 9 shkurt do të jetë dëshmia për këtë “kryengritje politike të manifestuar”.
“Bile kur e përmend opozitën ai në mendje ka vetëm LDK-në. Kështu që Peja sot është kryengritja politike e manifestume thërmija, thërrmija ne atë masë aq të madhe e cila nuk mbetet gjë me thënë tjetër, vetëm më 9 shkurt kanë më dëshmu votën e madhe qytetare”, ka deklaruar Haziri.