Skuadra e Pejës e ka nisur me fitore mbrojtjen e titullit të kampionit në Superligën e Kosovës në basketboll. Në ndeshjen e parë të edicionit të ri, Peja ka triumfuar ndaj skuadrës së Vëllaznimit. Kjo ndeshje u zhvillua të premten në palestrën “Karagaçi” në Pejë dhe përfundoi shifrat 82:62 në të mirë të ekipit vendas.
Vëllaznimi e nisi mirë ndeshjen dhe u mbajt përball Pejës në dy çerekët e parë. Periudhën e parë, Vëllaznimi e fitoi me pesë pikë epërsi – 22:17. Çereku i dytë i takoi Pejës, e cila shkoi në pushim me vetëm një pikë avantazh – 40:39.
Shkëputjen në rezultat, Peja e bëri në dhjetëminutëshin e tretë, të cilin e mbylli me shifrat 29:16 për t’u futur në çerekun e fundit me 15 pikë epërsi. Epërsia e lartë, bëri që Peja mos të ketë telashe të startojë me fitore dhe atë bindëse.
Pesë basketbollistë të Pejë, e përfunduan ndeshjen me pikë dyshifrore. Më efikasi ishte Terwell Beck me 20 pikë, ndërsa Lis Shoshi pati 10 pikë, 8 kërcime e 4 asistime.
Jalen Ray me 19 pikë dhe Jordan Dallas me 15 sosh, ishin më të dalluarit te Vëllaznimi.
Në kuadër të xhiros së parë, do të zhvillohen edhe tri ndeshje tjera. Të shtunën, përballen Istogu – Trepça (17:00) dhe Sigal Prishtina – Prizreni (19:00). Ndërsa, të dielën do të luhet ndeshja ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Bashkimit në Suharekë.