Mesfushori Pedri shpreson se bashkëkombësi Nico Williams së shpejti do t’i bashkohet te Barcelona, pasi të përfundojë Kampionati Evropian “Euro 2024”.
Dyshja ka qenë shumë e rëndësishme për Spanjën deri më tani, duke luajtur rol kyç në arritjen deri në çerekfinale, ku do të përballen me Gjermaninë.
Barcelona që një kohë është duke e synuar transferimin e Williams, megjithatë pas shkëlqimit të lojtarit në “Euro 2024”, gara veçse është rritur me top skuadrat angleze që po e vëzhgojnë spanjollin gjithashtu.
Megjithatë, Pedri për “Mundo Deportivo” thotë se Barcelona duhet ta kompletojë sa më parë transferimin e yllit të Athletic Bilbaos.
“Nuk flasim shumë. Është vendim që ai dhe Barcelona duhet ta marrin. Padyshim do të ishte një transferim spektakular”.
“Ne tashmë po shohim se çfarë po bën ai në Evropian. Shpresojmë që të jetë me ne, por ne nuk e dimë ende sepse ka një kontratë me Athletic”.
“Çfarëdo që duhet të ndodhë, do të ndodhë”, deklaroi ai.
Përpos Barcelonës, thuhet se Chelsea gjithashtu ka interesim të madh për lojtarin, i cili ka edhe tre vite të mbetura në kontratën aktuale.