Jo thjesht si një imazh pastoral, por Faton Pecit del t’i jetë ngritur deri në sipërfaqe të vetëdijes vetja si ‘Bariu i Mirë’ duke e nxjerrë veten në krahasim me të shenjtin profet të krishterëve: Jezu Krishtin.
Me qengj në dorë, e vet si ‘qengj i Zotit’ – pikturë kjo që ndër vite në kulturën perëndimore është interpretuar për qengjin jo si thjesht për bagëti e begati dhe bariun e mirë, por edhe simbol universal i pafajësisë dhe cënueshmërisë.
Me këtë shembull – e shëmbëlltyrë – të Pecit na u referua ish-bashkëpartiaku i tij, Burim Meta: i cili në një intervistë për gazetarin e Nacionales, Oqean Dërmaku, tregoi ndë plotni se në çka konstiston tash kjo parti e çrrënjosur nga ekzistenca burimore dhe origjinare e vet: prej Vjosa Osmanit.
“Vjosa Osmani ndjehet e tradhtuar shumë nga këta të cilët ajo i krijoi, për shkak të orientimit të tyre pro-Albinit dhe kundër-Vjosës. Konkretisht kundër asaj të cilës ajo i krijoi”, tha Meta për Nacionale.
“Këta i shtojnë vlerat e tyre në suaza të servilitetit ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes. Kjo ka qenë e dhimbshme”.
Meta i kthehet asaj çka kryetarja e këtij subjekti, Donika Gërvalla, ka provuar të përvetësojë gjatë kësaj fushate zgjedhore: Presidentin historik e të parë të vendit, Ibrahim Rugova. Në tentimin për ta situuar atë në partinë “Guxo” me fjalë si “shpirti i tij jeton në Guxo”, Gërvalla ka zgjuar indinjatë jo te pak kush.
“Donika Gërvalla sikur të mos e kishte atë mbiemër, s’do të kishte qenë as afër Albinit, dhe do të kishte qenë figura më jo e dëshirueshme politike”, tha ai.
“Këta [Donika Gervalla / Faton Peci] ngarejnë që këta dy me qenë të parët brenda 10’shes, a këtyne tjerëve zoti ua bëftë qaren”, shtoi ai.
Në atë se në çka përkthehet angazhimi elektoral në kët parti, Meta – një ndër ish-themeluesit primordial të partisë – thotë kështu: “tubime minorene, ku mungon edhe minimumi i vlerave të tyne”.
“I vjen era pak manipulim, se i pasha si po funksionojnë Gërvalla e Peci, por e kanë bë veç me shpëtu veten këta dy persona”, na tha ai.