Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është pyetur në ATV për raportimin e Nacionales, rreth një granti 100 mijë euro që Ministria e tij ia ndau Hamdi Jahës.
Jaha mori grant 100 mijë euro një vit para se të bëhej kandidat i Listës Guxo për deputet, duke e lënë LDK-në.
Peci ka thënë se Jaha kishte marrë grant edhe në vitin 2020, por nuk flet e as nuk përgjigjet për grantin e vitit 2023.
“Pjesa e ekipit më treguan që njëra prej akuzave për deputetin Jaha, është se ai ka përfituar grant në vitin 2020. Në atë vit as s’ka qenë ministër Faton Peci, as s’ka ekzistu Guxo, personi në fjalë ka qenë pjesë e strukturave të LDK-së. E vlerësoj personalitetin e tij, në njërën prej takimeve e ka nda me mua veprimtarinë e tij, e kam parë në grupin me Adem Jasharin, ku ka qenë edhe një kushëri i imi, Ilmi Peci. Përderisa Hamdiu ka qenë bashkëpunëtor i Ilmi Pecit, grupit të parë të Mitrovicës në UÇK”, tha Peci.
Madje, Peci tha se Hamdi Jaha e ka nofkën “Hamdi Gjyksi”
“Hamdiu e ka mbiemrin Jaha, por edhe Hamdi Gjyksi, për shkak se është njeriu i parë që ka guxuar me i hap zyret e LDK-së kur të tjerët janë fsheh sikur struci. E vlerësoj gatishmërinë e tji. Nuk e njoh në detaje. Po në raste se është është fermer, ka 6 hektarë me dardhë, kuptova që para 6-7 viteve ka bërë investim të tillë, e unë ministër që 4 vjet, nuk ka kurrfarë korrelacioni ose akuze që mundet mu ngrit. 120 mijë përfitues janë në krejt Kosovën”, tha ai. /Nacionale/