16 C
New York
Wednesday, October 15, 2025

Buy now

Peci paditë gazetarët, një ditë pasi Prokuroria nisi hetimet për vjedhje votash në Mitrovicë

Një ditë pasi që Prokuroria njoftoi se ka nisur grumbullimin e informacioneve për vjedhje të votave në Mitrovicë, në një situatë të paprecedentë, kandidati për Kryetar të kësaj komune nga radhët e VV-së, Faton Peci, ka paralajmëruar padi ndaj disa gazetarëve dhe pronarëve të kompanive që merren me exit polle – të cilat e shpallën kundërkandidatin e tij fitues në zgjedhjet e së dielës.

“Pas analizës së thellë të procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut dhe shqyrtimit të dëshmive e argumenteve të manipulimeve dhe ndikimit të palejueshëm e kriminal në votën e qytetarëve, njoftojmë opinionin se do të dorëzojmë padi penale ndaj personave të mëposhtëm:..”.

“…Baton Haxhiu, Berat Buzhala, Lirim Mehmetaj, Ilir Mirena, Valon Syla, Ermal Panduri, Valon Feka, Shkumbin Kajtazi dhe të tjerë për dyshimin e bazuar të Cenimit të Përcaktimit të Lirë të Votuesve, të sanksionuar me nenin 210 dhe të Falsifikimit të Rezultateve të Votimit sipas nenit 216 të Kodit Penal të Kosovës”, shkroi Peci në Facebook.

Ndërkohë që institucioneve të drejtësisë u bëri thirrje për trajtim urgjent, të drejtë dhe meritor të këtyre, sipas tij, “krimeve”, tha se gjatë ditëve në vijim “do të paraqesim edhe fakte, argumente e dëshmi të tjera, të bazuara në deklarimet e qytetarëve dhe entiteteve të tjera”.

“Gjatë fushatës zgjedhore, e veçanërisht gjatë ditës së zgjedhjeve, pa pritur, ashtu siç e përcakton Ligji për Zgjedhjet, të përfundojë procesi zgjedhor, disa ‘medie’ dhe individë të lidhur me grupe të jashtëligjshme interesi, gjatë tërë ditës kanë ndërmarrë veprime të sinkronizuara – përmes shpifjeve, linçimeve, akuzave të rreme, numrave të manipuluar e duke kulmuar me publikimin e të ashtuquajturve “exit poll” të paligjshëm, që shumë shpejt u dëshmua që jo vetëm që nuk e pasqyrojnë aspak vullnetin real të votuesve në Mitrovicë, por madje qëndrojnë shumë larg”.

Qëllimi i vetëm i këtyre veprimeve, në vlerësimin e Pecit, “ishte krijimi i konfuzionit, duke tentuar të ndikojnë dhe devijojnë jashtëligjshëm vullnetin e qytetarëve në Mitrovicë dhe të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve”.

“Të nderuar qytetarë të Mitrovicës dhe të Kosovës, do t’ju mbajmë të informuar për gjithçka.  Transparenca është tipar që na dallon si individë, si politikanë e si parti politike dhe respektimi dhe mbrojtja e votës së qytetarëve të Mitrovicës është parimi dhe prioriteti ynë kryesor”, përfundoi ai.

Të ngjashme

Të fundit