Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se Kosova është prezantuar si njëra ndër historitë e suksesit në Simpoziumin për Klimë dhe Bujqësi të Mençur në De Moine të Iowas në ShBA.
Peci tha se Kosova në këtë simpozium u paraqit në mesin e 21 shteteve nga e gjithë bota për mënyrën e realizimit të reformës, për rezultatet e deritanishme dhe adresimin e problemeve në bujqësi në kohë krize.
“Jam i lumtur dhe tejmase i nderuar që prezantova para personaliteteve të shquara botërore të sektorit të bujqësisë dhe ekspertëve të çështjeve lidhur me sigurinë ushqimore rrjedhën e aktiviteteve të ndërmarra krahas avancimit të sektorit të bujqësisë, avancimit të agjendës legjislative, ngritjes së kapaciteteve humane, forcimit të partneritetit dhe rritjen e besimit institucion-fermer si dhe rritjen e mbështetjes financiare karshi fermerëve”, shkroi Peci.
Tutje, ai tha se rritja e sipërfaqeve të mbjellura, rritja e mbështetjes financiare, sigurimet bujqësore dhe llogaridhënia u vlerësuan lartë nga të pranishmit, përfshirë Departamentin për Bujqësi nga Washingtoni.