Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci ka deklaruar se dorëheqja e tij, ashtu si edhe e ministrave të tjerë, është dhënë dhe deponuar te kryeministri Albin Kurti, por se ajo nuk është e detyrueshme në aspektin kushtetues.
Peci tha se nuk është detyrë e të tjerëve të vlerësojnë kur ai jep dorëheqje, pasi kjo është një çështje që i takon vetë atij dhe koalicionit qeverisës.
Peci theksoi se opozita dhe Lista Serbe kanë pamundësuar konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit të tij, ndërsa vendimmarrja për kandidatin për kryeparlamentar është në diskrecion të koalicionit VV–Guxo dhe Alternativa, si dhe varet nga marrëveshjet eventuale me Fatmir Limajn për një koalicion të mundshëm.
“Unë, si ministër në detyrë, kam dhënë dorëheqje. Kjo është një rrethanë e re që, në aspektin kushtetues, nuk është e obligueshme, dhe kryesuesi ka vendosur në një situatë të tillë. Dorëheqjen e jap unë, jo kur e vlerësoni ju. Ne e kemi deponuar dorëheqjen te Albin Kurti dhe ai e ka deponuar në instancat përkatëse. Ajo që dihet është se Lista Serbe dhe opozita e pamundësuan konstituimin dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit. Ne e kemi pasur emrin, dhe kurdo që të vijë koha, e themi. Të gjithë ministrat kanë dhënë dorëheqje,” ka thënë Peci.
“Është çështje e diskrecionit të koalicionit VV–Guxo dhe Alternativa se kush është kandidati për kryeparlamentar. Opozita dhe Lista Serbe kanë pamundësuar krijimin e institucioneve. Është në diskrecionin e Fatmir Limajt të vendosë për koalicionin me VV-në.”