Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci i ka quajtur shpifje akuzat se ka pasur ndikim që vëllai i Fitore Pacollit të VV-së ka marrë grant nga ministria e Bujqësisë. Ai ka thënë se gjatë gjithë kohës së zgjedhjeve nacionale është përballur me këtë akuzë.
“Para dy tre muajsh ka ardhur një koleg që është në nivel të drejtorit të një agjencie dhe më ka thënë: ‘Ministër pse ju nuk i kundërviheni dhe nuk e prezantoni të vërtetën. E vërteta tha është që vëllai i Fitore Pacollit nuk ka marrë asnjë cent nga Ministria e Bujqësisë. As grantin, as subvencionin e as tenderin ministri nuk e vlerëson”, ka nënvizuar ai.
Ai ka thënë se nëse ministri pyet për termat e referencës së një shpallje publike të një tenderi ai konsumon vepër penale.
“Kjo puna e interesimit dhe njoftimit i ka disa kufij. Unë personalisht asnjëherë gjatë gjithë mandatit për më shumë se 4 vite nuk kam interferuar e as ndikuar se kush do të jetë përfitues i një granti, subvencioni, tenderi e asnjë kontrate. Në asnjë rast të vetëm s’kam dhënë një sugjerim ose një imponim ose një ndikim se çfarë duhet bërë”, ka thënë ai në RTK.