28.5 C
New York
Sunday, July 27, 2025

Buy now

PDK shpreson që Kushtetuesja do të qartësojë rrugën për themelimin e institucioneve

- Advertisement -

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë Kosova është në një rrugë të paqartë kushtetuese pas dështimit të konstituimit të Kuvendit brenda afatit 30 ditor të dhënë nga Gjykata Kushtetuese.

Në një komunikatë për media pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie është thënë se do të pritet vendimi i Gjykatës duke shpresuar që do të sqarohet rruga për formimin e institucioneve të reja.

“Pas përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, PDK vlerëson se, për fat të keq, Kosova tashmë po ecën në një territor të panjohur kushtetues, institucional, shtetëror dhe shoqëror. Në këtë terren të mjegullt, Kosova nuk është vetëm e humbur në koordinatat e brendshme, por edhe gjithnjë e më e paorientuar në hartën ndërkombëtare. PDK do të pres aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për lëndën e dërguar nga deputetët tanë, me shpresë qe do të qartësohet rruga për themelimin e institucioneve të reja dhe legjitime”, thuhet në komunikatë.

Të shtunën edhe pse u mbajtën dy seanca brenda ditës, deputetët nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin.

Ndërsa, nga 27 korriku ka hyrë në fuqi masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e cila vlen deri më 8 gusht.

Gjatë kësaj kohe deputetët nuk kanë të drejtë të marrin asnjë veprim lidhur me seancën konstituive.

Të ngjashme

Të fundit