Kandidati për deputet nga PDK, Përparim Gruda, ka shpalosur programin e partisë së tij për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në “Edicionin Special” të Klan Kosova, ai tha se në këto pesë vjet është ndërtuar një praktikë e mbrapsht nga pushteti me sulme ndaj gjyqësorit.
“Kjo traditë mendojmë se duhet të largohet. Gjyqësori duhet të jetë i pavarur prej politikës. Politika duhet ta ndihmojë me mjete financiare. Sot KPK ka 3 milionë euro borxhe, dhe kjo është e papranueshme. Në qeverinë tonë, buxheti për gjyqësorin do të jetë ai që e propozon KGJK dhe KPK, dhe do të miratohet në Parlament pa asnjë ndryshim. Dhe kështu pavarësohet sistemi gjyqësor, sepse pavarësia fillon nga pavarësia financiare”, u shpreh Gruda.
Ai tha se në mandatin e kësaj qeverie, asnjë reformë e drejtësisë nuk është çuar deri në fund.
“Në këto pesë vjet, të gjitha reformat që i ka nisur kjo qeveri, janë lënë në gjysmë. Vettingu, reformat tjera, konfiskimi i pasurisë, çdo gjë tjetër që është premtu, e në anën tjetër kanë vazhduar vetëm sharjet e kritikat ndaj sistemit gjyqësor, ndërkohë që pas pesë vjetësh është dashur të flitet për rezultate”.
“A e dini që në programin e qeverisë që po e kryen mandatin, kemi pasur edhe një padi për gjenocid ndaj Serbisë, e cila nuk u bë kurrë. E pse s’u bë? Sepse s’ka qenë kurrë qëllimi me bë, por vetëm për vota. Ne mendojmë se duhet ta hartojmë një program të realizueshëm, të cilin e kemi hartuar, e i cili nuk është populist. Dhe e fundit që dua të them, unë e di që me drejtësi nuk fitohen vota, por është thelbësore për funksionimin e shtetit”, deklaroi kandidati i PDK-së për deputet, Përparim Gruda.






