Sot, në seancën e parë të punës së legjislaturës së X-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, u fut në rend dite dhe u votua Rezoluta e hartuar nga ekspertë të pavarur në mbrojtje të të drejtave të çlirimtarëve në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerëve.
Rezoluta u miratua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke shënuar një moment të rëndësishëm institucional dhe kombëtar në mbrojtje të parimeve të një procesi të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare.
Përmes kësaj rezolute, Kuvendi rikonfirmon përkushtimin e tij për respektimin e rendit kushtetues, përfshirë Amendamentin Nr. 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe thekson domosdoshmërinë e zbatimit me përpikëri të standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të akuzuarve .
Rezoluta kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që të sigurojnë respektimin e plotë të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare, transparencën, llogaridhënien dhe kultivimin e besimit publik në drejtësi. Po ashtu, ajo konfirmon zotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të siguruar të gjithë mekanizmat e nevojshëm, përfshirë mbështetjen financiare, në mbrojtje të të drejtave të mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës e konsideron këtë votim si një akt përgjegjësie shtetërore dhe uniteti institucional. Mbrojtja e së drejtës për një proces të rregullt ligjor, respektimi i dinjitetit të luftës çlirimtare dhe afirmimi i vlerave mbi të cilat është ndërtuar Republika jonë janë obligime që tejkalojnë përkatësitë partiake.
Ne do të vazhdojmë të jemi gardianë të Kushtetutës, të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të së drejtës për drejtësi të paanshme, në emër të shtetit dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës






