Partia Demokratike e Kosovës ka dalë me një deklaratë, pas seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ku u votua pro raportit për verifikimin e mandatave dhe u betua deputetët.
Në këtë deklaratë, thuhet se PDK “dëshmoi rolin e saj shtetformues”.
“Sot, duke votuar pro raportit të Komisionit Verifikues të kuorumit dhe mandateve, PDK kontribuoi në tejkalimin e një ngërçi të panevojshëm parlamentar, pas vendimit të këtij komisioni për të pranuar kërkesën tonë për të përfshirë, njohur dhe evidentuar në procesverbal faktin e dorëheqjeve individuale të Kryeministrit dhe ministrave, në përputhje me frymën e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e ish-kryetarit të Rahovecit, Qazim Çeska. Në këtë mënyrë, Partia Demokratike e Kosovës dëshmoi edhe një herë rolin e saj shtetformues dhe përkushtimin ndaj funksionimit demokratik të institucioneve.
PDK tutje shkruan se njeh të drejtën e VV-së për ta propozuar kandidatin, por kjo nuk nënkupton përkrahjen për atë kandidaturë.
“PDK njeh të drejtën kushtetuese të partisë së parë për të propozuar kandidatin/en për Kryetar të Kuvendit, mirëpo kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe përkrahjen tonë për atë kandidaturë. Ora për themelimin e institucioneve të reja të Republikës ka nisur. Përgjegjësia e parë, por jo e përhershme, bie mbi koalicionin VV-Guxo-Alternativa, i cili duhet ta trajtojë këtë moment me seriozitetin që kërkon situata politike dhe nevoja e vendit për stabilitet” – thuhet në deklaratë.
PDK bën me dije se është e gatshme të marrë përgjegjësinë për formimin e një qeverie të re profesionale, me kryeministër Bedri Hamzën.
“Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë një faktor stabiliteti, garantuese e rendit kushtetues dhe zë i fuqishëm i interesit qytetar. E përkushtuar ndaj demokracisë, shtetndërtimit dhe zhvillimit, PDK mbetet e gatshme të marrë përgjegjësinë për formimin e një qeverie të re profesionale, me Kryeministër Bedri Hamzën, dhe me objektiva të qarta për të kthyer shtetin në binarët e duhur të zhvillimit dhe integrimit – në rast se mandatari i parë dështon në sigurimin e shumicës parlamentare, siç u dëshmua qartazi edhe sot” – thuhet në fund.
Njoftimi i plotë:
Kujtojmë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka ndërprerë seancën e sotme pas dështimit për herë të dytë të zgjedhjes kryeparlamentare të Albulena Haxhiut, të cilën e propozoi partia e saj për këtë pozitë, shkruan Periskopi.
Kuvendi i Kosovës as sot nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin e ri. Edhe pas dy përpjekjeve, kandidatura e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm të votave për t’u zgjedhur kryeparlamentare.
“Seanca ndërpritet për 48 orë, vazhdon të hënën në orën 15:00”, tha Dehari.
Në të dy raundet e votimit, Haxhiu mori nga 57 vota, duke dështuar të arrijë kuotën prej 61 votash që kërkohet për të marrë këtë post.
Pas votimit të dytë, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, vendosi ta ndërpresë seancën për 48 orë. Ai njoftoi se seanca do të vazhdojë të hënën, në ora 15:00.
Ndërsa, se para votimit Glauk Konjufca ka lutur edhe deputetët e opozitës që ta votojnë Haxhiun për deputete.