Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, është shprehur optimiste për rezultatet e partisë në zgjedhjet lokale, veçanërisht në garën për Prishtinën.
Ajo tha se kandidatura e Uran Ismajlit është e fuqishme dhe se qytetarët po tregojnë vullnet për t’u rikthyer tek PDK në disa komuna.
“Beteja në Prishtinë është më interesante dhe kandidatura e PDK-së është e mirë. Me zotin Ismajli do të jemi më mirë. Pritshmëritë për PDK-në dhe për Ismajlin janë më të larta se në mandatin e fundit. Gara politike është më e lehtë tani”, tha Deliu.
Ajo shtoi se PDK synon të ruajë votën në komunat ku ka fituar dhe të rrisë përfaqësimin e grave në listat për kandidate për kryetare komunash.
Deliu gjithashtu komentoi edhe zhvillimet e fundit, në komunën e Drensit, për çka u shpreh se ”PDK edhe në Drenas do të dalë mirë”.
Deliu, ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të lejojë që të vihet përballë vendimeve të imponuara nga kryeministri në detyrëAlbin Kurti.
Ajo theksoi se PDK-ja do të jetë e vëmendshme dhe e gatshme të punojë për zgjidhje në interes të Kosovës.
“PDK do të jetë e vëmendshme dhe do ta shohë interesin e Kosovës, por ne nuk do të bëhemi parti që vendosim nën diktatin e Kurtit. Ne e kemi një integritet partiak e qytetar dhe nuk do të pranojmë që me diktat të na imponohet një votim”, tha Deliu.
Deliu, në emisionin “Click” të RTV21, ka theksuar se qëndrimi i partisë së saj ndaj anëtarëve të Qeverisë Kurti mbetet i pandryshuar.
Ajo deklaroi se PDK-ja nuk do të votojë për asnjë ministër apo zëvendëskryeministër që ka qenë pjesë e ekzekutivit të kaluar, përfshirë edhe ministren në detyrë, Albulena Haxhiun.
“Qëndrimi ynë do të mbetet i njëjtë. Nuk do të votojmë asnjë prej ministrave, zëvendëskryeministrave apo gjithë përfaqësuesve që kanë qenë pjesë e Qeverisë Kurti. Asnjëri prej tyre nuk do ta ketë votën e PDK-së”, tha Deliu.