Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë ka kërkuar që zona e Badovcit të ruhet nga ndërtimet dhe këmbimet.
Kryetari i Grupit të Asamblistëve të PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, në një konferencë për media tha se as sot grupi i asamblistëve të PDK-së nuk mori pjesë në mbledhjen e ftuar të Kuvendit Komunal të Prishtinës, sepse është muaji i dytë që ky Kuvend shndërruar në fushëbetejë pronash.
“Derisa në mbledhjen e dhjetorit u votua këmbimi i pronave që kanë në epiqendër Badovcin me kuorumin e mundësuar nga opozita me në krye LVV-në, sot nga vetë këta të fundit u inicua anulimi i të njëjtit vendim. Ne e kemi ditur që çështja e Badovcit do të rikthehet në diskurs publik në këtë qeverisje. Ne 2020 kemi votuar kundër, në fushatë kemi deklaruar kundër, dhe vazhdojmë të mos e përkrahim: Zona e Badovcit duhet te ruhet nga ndërtimet dhe këmbimet me çdo kusht, edhe nëse kjo nënkupton që ne, PDK në Prishtinë, si pjesë e koalicionit qeverisës, nuk e mbështesim në Kuvend”, theksoi Retkoceri.
Ai tha se përpjekja e sotme për të anuluar një vendim, të cilin vet LVV e ka mundësuar, është përpjekje e shfajësimit nga një e keqe publike.