Memli Krasniqi ka njofuar se PDK mbështet protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, si një shprehje demokratike e qëndrimit qytetar, por edhe si bindje për pafajësinë e të akuzuarve, shkruan Scanner.
Në njē postim në Facebook, Krasniqi ka shkruar se zvarritja e këtij procesi dhe shmangia nga standardet e pritura të drejtësisë, të cilat kanë ndodhur nga kjo gjykatë, kanë ngritur shqetësime serioze, jo vetëm për të drejtat e të akuzuarve, por edhe për besimin e qytetarëve në vetë drejtësinë.
Postimi i plotë:
Prej më shumë se katër vjetësh e gjysmë, udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Dhomat e Specializuara, ende pa një vendim përfundimtar.
Zvarritja e këtij procesi dhe shmangia nga standardet e pritura të drejtësisë, të cilat kanë ndodhur nga kjo gjykatë, kanë ngritur shqetësime serioze, jo vetëm për të drejtat e të akuzuarve, por edhe për besimin e qytetarëve në vetë drejtësinë.
Këto shqetësime janë thelluar edhe më tej pas raportimeve të fundit se kjo gjykatë po mbështetet në prova të fabrikuara nga strukturat shtetërore të Serbisë.
Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në mbështetje të luftës për liri dhe të së drejtës për një proces të drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë për çlirimtarët tanë.
Në këtë frymë, mbështesim protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, si një shprehje demokratike e qëndrimit qytetar, por edhe si bindje për pafajësinë e të akuzuarve.
Ftoj të gjithë qytetarët që besojnë në drejtësinë e luftës sonë për liri, në dinjitetin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës, që t’i bashkohen kësaj proteste më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu”.
Me çlirimtarët. Për drejtësi. Për Kosovën. 🇽🇰🇦🇱