19.2 C
New York
Wednesday, November 5, 2025

Buy now

PDK mban mbledhjen e rregullt të kryesisë: Zgjedhjet e parakohshme, zgjidhja e vetme për tejkalimin e krizës institucionale

- Advertisement -

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, rezultatin e arritur në raundin e parë të zgjedhjeve lokale dhe vazhdimin e angazhimit për fitore në balotazh.

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se dhënia përsëri e mandatarit LVV-së përbën humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të krizës institucionale, sepse tashmë është e qartë që askush nuk e ka shumicën për ta formuar qeverinë nga kjo legjislaturë.

Në këtë mbledhje u ripërsërit njëzëri qëndrimi se PDK nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga LVV, dhe se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij ngërçi, duke u kthyer qytetarëve të Kosovës të drejtën për të vendosur drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja.

Kriza e stërzgjatur gjatë këtij viti, e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, përveç dëmit politik, ka goditur çdo sektor, ndërsa rreziku që buxheti i shtetit të mos kalojë me kohë dhe që vitin e ardhshëm qytetarët të mbeten pa paga, e bën edhe më të domosdoshëm përshpejtimin e procesit drejt zgjedhjeve të reja.

Tutje, kryetari Krasniqi u shpreh mirënjohës për angazhimin e secilit anëtar dhe përkrahës të Partisë Demokratike të Kosovës, që i mundësoi partisë rikthimin në vendin e parë pas 12 viteve sa i përket votës popullore në zgjedhjet lokale me 187.526 vota, me ç’rast PDK ka siguruar 206 ulëse gjithsej në Kuvendet Komunale, duke lënë prapa partitë e tjera.

Po ashtu, në këto zgjedhje lokale PDK ka arritur të rris numrin e votave në total për kandidatët për kryetarë komunash, duke u radhitur e dyta, si dhe ka fituar në tri komuna Ferizaj, Skënderaj dhe Han të Elezit në raundin e parë.

Kryetari Krasniqi kërkoi nga kryesia që të vazhdoj angazhimin dhe mobilizimin për fitore në Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kacanik, Klinë dhe Dragash, ku PDK është në garë, edhe në ditët e mbetura deri në balotazhin e 9 nëntorit.

 

Të ngjashme

Të fundit