Komuna e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, është zhytur në një skandal të madh financiar. Kështu pretendon Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, e cila ka publikuar disa dokumente, ku shihet se në raportin financiar të Komunës së Gjilanit, pagesa prej 155 mijë euro është paguar për një projekt, ndërsa projekti përpos që nuk ka nisur, nuk ekziston fare as në letër si projekt i buxhetuar.
Projekti në vlerë prej 155 mijë euro ka të bëjë me ndërtimin e shtëpisë për mbrojtjen e fëmijëve, shkruan Demokracia.com.
“Në raportin financiar të komunës së Gjilanit për vitin 2023, figuron se janë paguar 155 mijë euro për projektin e ndërtimit të shtëpive për mbrojtjen e fëmijëve, ndërsa projekti në fjalë jo që nuk ka filluar ende, por nuk ekziston fare as në letër si projekt i buxhetuar. Për më shumë detaje, PDK në Gjilan më datë 5 mars i ka adresuar pyetje me shkrim komunës së Gjilanit, lidhur me buxhetin shtesë edhe për 386 mijë euro të planifikuara për këtë vit lidhur me vazhdimin e këtij projekti, ndërsa kemi pranuar një përgjigje fare të shkurtër se “Nuk ka projekt lidhur me këtë çështje. Jemi duke analizuar hapat e radhës”!”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PDK-së në Gjilan.
Pra, 566 mijë euro për dy vite buxhet i ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës për këtë projekt dhe komuna e Gjilanit nuk ka ide fare për projektin e as për buxhetin e këtij viti.