Partia Demokratike e Kosovës ka dalë me disa vendime pas mbledhjes që Kryesia e kësaj partie e pati gjatë ditës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë që partia që ai drejton kërkon që sa më shpejt të diskutohet për zgjedhje të parakohshme, qoftë edhe përmes dorëheqjes së kryeminstrit Kurti.
Krasniqi ka thënë se partia që drejton nga sot nuk do të votojë në asnjë forum të Kuvendit e po ashtu shkëpusin çdo lloj komunikimi me presidenten e kryeministrin, përveç në raste emergjente.
“Ne nga sot kërkojmë që në një kohë sa më të shpejtë të diskutohet për shpalljen e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, qoftë përmes dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti, qoftë përmes shpërndarjes së Kuvendit sepse kjo shumicë parlamentare, edhe zgjedhjet e kaluara nuk i kanë prodhuar këto institucione për të shkatërruar çdo raport të Kosovës me aleatët. E dyta ne nga sot nuk do të votojmë në asnjë forum të Kuvendit, as në komisione e as në seanca plenare. As ligje, as vendime, as rezoluta, as marrëveshje ndërkombëtare dhe asgjë tjetër, sepse situata në Kosovë nuk është normale dhe ne nuk do ta simulojmë normalitetin…Dhe e treta ne që nga sot shkëpusim çdo lloj komunikimi zyrtar me kryeministrin Albin Kurtin dhe presidenten Osmani, përveç në situata emergjente dhe për të diskutuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme”, ka thënë Krasniqi pas takimit.