PDK kërkon llogaridhënie për financimin dhe promovimin shtetëror të ekspozitës që shtrembëron të vërtetën historike

- Advertisement -

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e konsideron të papranueshme dhe skandaloze ekspozitën e fundit për masakrat e luftës 1998–1999, e cila shtrembëron të vërtetën historike dhe cenon rëndë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre.

Sipas kësaj partie, çdo përpjekje për t’i relativizuar krimet e kryera në Kosovë, për t’i manipuluar faktet apo për ta deformuar të vërtetën, është jo vetëm e papranueshme, por edhe e rrezikshme për kujtesën kolektive dhe drejtësinë historike.

“Përderisa nga jashtë, veçanërisht në Hagë, po tentohet të rishkruhet historia jonë e lavdishme, nga brenda rishkrimi i saj po financohet me para të shtetit dhe po promovohet nga përfaqësuesit shtetërorë. Kjo ngre dyshime serioze për përgjegjësinë institucionale dhe për standardet e verifikimit të përmbajtjeve që prekin çështje kaq të ndjeshme kombëtare”, është thënë në reagimin e PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës kërkon:

* Sqarim të plotë publik mbi mënyrën se si është përgatitur dhe miratuar kjo ekspozitë.

* Identifikimin dhe mbajtjen përgjegjës të të gjithë zyrtarëve të përfshirë në financimin dhe promovimin e saj.

* Kërkimfalje publike ndaj familjeve të viktimave dhe qytetarëve të shtetit të Kosovës.

* Hetim për elemente të mundshme të veprës penale, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, shpërdorimit të parasë publike dhe cenimit të interesit publik.

Kosova nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e saj mbi deformimin e së vërtetës. Respekti për viktimat dhe mbrojtja e historisë sonë janë detyrime themelore shtetërore.

PDK do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të së vërtetës, dinjitetit të viktimave dhe vlerave të luftës çlirimtare.

Të ngjashme

Të fundit