37.3 C
New York
Wednesday, June 25, 2025

Buy now

PDK-ja dorëzon në Gjykatën Themelore padinë për anulimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike

- Advertisement -

Deputeti Abelard Tahiri ka njoftuar se Partia Demokratike e Kosovës, duke qëndruar besnike ndaj përgjegjësisë për të mbrojtur interesin publik dhe të drejtat e qytetarëve dhe bizneseve të vendit, ka dorëzuar të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë padinë për anulimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Kosovë.

“Ky vendim, i marrë në mungesë të një procesi të drejtë, të bazuar ligjërisht dhe gjithëpërfshirës, tashmë ka filluar të prodhojë pasoja të rënda dhe të pakthyeshme për mbi 1,300 biznese vendore dhe mbi 140 mijë punëtorë të këtyre ndërmarrjeve. Efektet e këtij vendimi po rrezikojnë seriozisht stabilitetin ekonomik të vendit përmes rritjes së çmimeve, nxitjes së inflacionit dhe kërcënimit për falimentimin e një numri të madh të bizneseve. Krahas padisë kryesore, PDK ka kërkuar nga gjykata edhe caktimin e masës së sigurisë – pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij vendimi – në përputhje me nenin 100 të Ligjit Nr. 08/L-182 për Konfliktet Administrative, për të parandaluar dëmet që po shkaktohen çdo ditë”, ka njoftuar Tahiri.

Në këtë proces, ai ka thënë se PDK-ja ka vepruar si palë paditëse me legjitimitet të plotë ligjor, në mbrojtje të interesit kolektiv të qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës.

“Vendimmarrja e Zyrës së Rregullatorit për Energji ka cenuar jo vetëm të drejtat ligjore të konsumatorëve që tejkalojnë qarkullimin prej 10 milionë euro në vit apo që punësojnë mbi 50 persona, por ka goditur edhe drejtpërdrejt interesin ekonomik të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Procedura paraprake e ndjekur pranë ZRRE-së e ka konfirmuar plotësisht shqetësimin tonë të kahmotshëm: ky institucion nuk ka nxjerrë asnjë vendim përfundimtar administrativ për liberalizimin e tregut, por ka përdorur një njoftim të thjeshtë, për të imponuar një detyrim të rëndë ndaj sektorit privat. Ky veprim është bërë në mënyrë të qëllimshme, me synim shmangien e kontrollit gjyqësor”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës dhe duke u bazuar në argumente dhe prova konkrete, PDK-ja ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë të nevojshëm për të iniciuar këtë betejë gjyqësore, në interes të publikut dhe të së drejtës.

“Presim që gjykata të vlerësojë në mënyrë objektive kërkesën tonë për caktimin e masës së sigurisë dhe të ndalojë zbatimin e këtij vendimi derisa të vendoset përfundimisht mbi ligjshmërinë e tij. Në të njëjtën kohë, mirëpresim vendimin e sotëm të Gjykatës Komerciale, e cila aprovoi kërkesën e një kompanie private për pezullimin e këtij vendimi. Ky vendim përbën një precedent të rëndësishëm dhe shpresojmë se do të konfirmohet në të gjitha instancat gjyqësore, duke shërbyer si bazë për unifikimin e praktikës gjyqësore në raste të ngjashme. Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtje të interesave të qytetarëve, të sektorit privat dhe të rendit kushtetues në Republikën e Kosovës”, ka thënë deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

Të ngjashme

Të fundit