8.2 C
New York
Sunday, November 24, 2024

Buy now

PDK-ja dhe LDK-ja zotohen se do të ndryshojnë Ligjin për Tatimin në Pronë: Është barrë e madhe për qytetarët dhe bizneset

- Advertisement -

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë zotuar se do ta shfuqizojnë Ligji për Tatimin në Pronë, i cili parasheh dyfishim të tatimit në pronë.

Kandidatët e tyre për kryeministër kanë bërë me dije se ky ligj është një barrë e madhe për qytetarët dhe bizneset dhe si i tillë duhet të ndryshohet.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar ndryshimin e këtij ligji.

Ai ka thënë se zbatimi i këtij ligji Qeveria Kurti e ka shtyrë për vitin 2026 vetëm për shkak të zgjedhjeve.

“Çështja e tatimit në pronë është ligj që duhet të ndërrohet. Unë po e vërej se ka tentativa për me e prolongu hyrjen në fuqi për një vit. Nuk është zgjidhje kjo. Nëse nuk ndodh në 2025, do të ndodh në 2026 pagesa, s’po ndodh në 2025 se mundem me pas efekt elektoral negativ, por po ndodh në 2026. Kjo është barrë e madhe për qytetarët dhe bizneset. Me mu si kryeministër, ky ligj duhet më u ndryshu. Nuk do të jetë barra për bizneset, për qytetarët, ngarkesë e papërballueshme”, ka thënë Hamza, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.

Sipas tij, Qeveria duhet t`i mbështes bizneset e jo t`i ngarkojë me tatime.

“Buxheti duhet me u rrit si rezultat i aktivitetit ekonomik, jo si rezultat i rritjes së ngarkueshmërisë me taksa, por si rezultat i rritjes të aktivitetit ekonomik. Kur bizneset rriten, zhvillohen, ato fitojnë më shumë për veti, por paguajmë më shumë taksa. Edhe të gjithë këto reforma që pritet të ndodhin dhe janë të planifikuara për përmirësimin e ambientit të biznesit, nuk e kanë për qëllim veç biznesmenët, veç pronarët, i kanë qëllim të punësuarit përmes përmirësimit të kushteve të ndërmarrjeve që ata të paguajnë më shumë, të bëjnë paga më të mira, për shkak se nëse ne nuk e ndërrojmë gjendjen ekonomike, ne jemi duke u përballur me një fenomen shumë të rrezikshëm demografik, që është emigrimi i njerëzve”, ka thënë Hamza.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës është zotuar se do ta rishikojë përmbajtjen e këtij ligji.

Përmes një reagimi për media, kjo parti ka vlerësuar se në qeverinë e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku do të rishikohet ligji në fjalë.

“Ligji i ri prezanton një normë të dyfishtë progresive të tatimit në pronë dhe parashikon tatimin edhe për tokat bujqësore të kultivuara, duke rënduar më tej barrën mbi qytetarët, bizneset dhe fermerët. Ky ndryshim përbën një pengesë për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e sektorit privat në vendin tonë”, është thënë në reagimin e LDK-së.

Sipas LDK-së, Abdixhiku do të rikthejë praktiken e mëparshme.

“Qeveria e ardhshme, e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, do të rishikojë Ligjin për Tatimin në Pronë, duke u siguruar që qytetarët të mos paguajnë një normë të dyfishtë progresive të tatimit në pronë. Ne do të rikthejmë praktikën e mëparshme, ku tatimi në pronë bazohet në vlerën e tregut të pronës, ku vetvetiu ata që kanë prona me vlerë më të madhe paguajnë më shumë, ndërsa ata me prona me vlerë më të ulët paguajnë më pak”, ka vlerësuar LDK-ja.

Kjo parti ka siguruar qytetarët se askush nuk do të paguajë tatim për tokat e punuara.

“Qeveria e ardhshme, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës me kryeministër Lumir Abdixhikun, do të krijojë politika që mbështesin rritjen dhe zhvillimin e biznesit, duke eliminuar barrierat e panevojshme dhe duke ofruar mundësi reale për përparim në ekonomi dhe më gjerë”, është thënë reagimi e LDK-së.

Edhe AAK-ja e ka kritikuar ligjin në fjalë, duke vlerësuar si të dëmshme për qytetaret dhe bizneset.

Zbatimi i Ligji për Tatimin në Pronë ishte paraparë të zbatohet nga janari i vitit të ardhshme.

Por, pas presionit të madh Ministria e Financave e ka shtyrë për vitin 2026 afatin e zbatimit të normës tatimore progresive për prona komerciale.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit