20.1 C
New York
Friday, July 4, 2025

Buy now

PDK i drejtohet gjykatës, ka tri kërkesa që lidhen me veprimet e Deharit: Kuvendi të konstituohet me votim të hapur, të ndalet përmbysja e demokracisë

- Advertisement -

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.

PDK tha se kjo kërkesë, e paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, konteston:

1.         Kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë;

2.         Hedhjen në votim të këtij Komisioni;

3.         Vetë votimin e Komisionit;

4.         Ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit

“Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit”, tha PDK.

Në kërkesën e dorëzuar, PDK ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që:

•           Të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë;

•           Të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive;

•           Të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare.

PDK tha se ky hap është thelbësor “për të ndalur tendencën për përmbysje të rendit demokratik dhe për të garantuar që asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos e vë veten mbi Kushtetutën”.

Partia Demokratike e Kosovës tha se “mbetet e vendosur në mbrojtje të ligjshmërisë, demokracisë dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës”.

Të ngjashme

Të fundit