Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial i cili u miratua para ca ditësh në Kuvendin e Kosovës.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, tha para mediave se ka tendencë të pushtetit që ta kap tërësisht prokurorinë, shkruan lajmi.net.
Sipas tij, Ligji në fjalë bie ndesh me 6 nene të Kushtetutës.
“Asnjëherë nuk kemi pasur një tendencë kaq të qartë të kapet një sistem të tërë prokurorial siç ka ndodhur me miratimin e fundit të ligjit nga mazhoranca e drejtuar nga Vetëvendosje. Ky ligj bie ndesh me 6 nene të Kushtetutës. Besojmë plotësisht që argumentimet që i ka sjellë PDK-ja, në draftin që e kemi dorëzuar në ankesën tonë, konsiderojmë që është një bazë e mjaftueshme për ta nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën një ligj të tillë”, ka thënë Tahiri.
Ai thotë se Këshilli Prokurorial po degradohet nga prezenca e njerëzve të politikës, meqenëse këtyre të fundit u është dhënë fuqi vendimmarrëse.
“Ajo që e degradon plotësisht KPK-në është prezenca e njerëzve të politikës. Ju e dini që tashmë ka ndryshuar edhe përbërja e Këshillit me ligj të ri, vendimmarrja është e varur direkt nga prezenca e njerëzve të politikës që dërgohen përmes Kuvendit. Tashmë ka degraduar komplet, tashmë edhe një zyrtar që i ka kryer nja 7-8 vjet pune si zyrtar mund të bëhet anëtar i KPK-së. Vendimmarrja e KPK-së është direkt e varur nga politika, pra KPK-ja me ligj të ri nuk mund të ketë as kuorum as vendimmarrje në zgjedhjen e drejtuesve të pozitave të larta, pa pjesëmarrjen e njerëzve të politikës që dërgon mazhoranca – Kuvendi”, ka deklaruar Tahiri.