19.4 C
New York
Sunday, August 3, 2025

Buy now

PDK dhe AAK mbështesin protestën e 7 gushtit kundër padrejtësive në Hagë, heshtin VV dhe LDK

- Advertisement -

Me afrimin e datës 7 afrohet, kur pritet të zhvillohet protestë gjithëpopullore kundër padrejtësive në Hagë, e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë shprehur mbështetjen e plotë, duke iu bërë thirrje qyetarë të marrin pjesë masivisht.

Në protestën ku mes folësve do të jetë edhe Ali Ahmeti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, do të ngrihet zëri kundër “padrejtësisë” ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nga ata që “besojnë në drejtësinë e luftës për liri, në dinjitetin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës.”

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, përmendi disa nga shqetësimet e partisë së tij lidhur me zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe “në prova të fabrikuara nga strukturat shtetërore të Serbisë”.

“Prej më shumë se katër vjetësh e gjysmë, udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Dhomat e Specializuara, ende pa një vendim përfundimtar. Zvarritja e këtij procesi dhe shmangia nga standardet e pritura të drejtësisë, të cilat kanë ndodhur nga kjo gjykatë, kanë ngritur shqetësime serioze, jo vetëm për të drejtat e të akuzuarve, por edhe për besimin e qytetarëve në vetë drejtësinë. Këto shqetësime janë thelluar edhe më tej pas raportimeve të fundit se kjo gjykatë po mbështetet në prova të fabrikuara nga strukturat shtetërore të Serbisë”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi ka ftuar qytetarët të bashkohen në sheshin “Skënderbeu” në orën 17:00 të 7 gushtit.

“Në këtë frymë, mbështesim protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, si një shprehje demokratike e qëndrimit qytetar, por edhe si bindje për pafajësinë e të akuzuarve. Ftoj të gjithë qytetarët që besojnë në drejtësinë e luftës sonë për liri, në dinjitetin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës, që t’i bashkohen kësaj proteste më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin ‘Skënderbeu’. Me çlirimtarët. Për drejtësi. Për Kosovën”, ka shkruar Krasniqi.

Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shprehur mbështetje të plotë për protestën, duke e lidhur atë me themelet e lirisë së Kosovës.

Haradinaj ka theksuar se qëndrojnë “në të drejtën e luftës, në të drejtën e luftëtarëve dhe në të drejtën e popullit”.

“Në mbështetje të protestës së thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, në kërkesat e tyre legjitime dhe të drejta.

Qëndrojmë gjithmonë në të drejtën e luftës, në të drejtën e luftëtarëve dhe në të drejtën e popullit.

Këto janë themelet mbi të cilat është ndërtuar liria jonë dhe që nuk lëkunden kurrë”.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë dalë ende me ndonjë deklaratë në mbështetje të protestës.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kanë bërë thirrje për mobilizim masiv, për të “kundërshtuar padrejtësitë ndaj ish-bashkëluftëtarëve në Gjykatën Speciale”.

“Duke pasur parasysh mosreflektimin e partive politike për konstituimin e institucioneve, dhe mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në takim u vendos që të mbahet protestë gjithëpopullore, me kërkesat e mëposhtme:

Kundërshtimi i padrejtësive ndaj ish-bashkëluftëtarëve në Gjykatën Speciale.

Formimi urgjent i institucioneve legjitime dhe respektimi i rendit kushtetues.

Ndërprerja e përbuzjes ndaj kategorive të luftës, përfshirë mosmbështetjen financiare, përjashtimin e veteranëve nga paga minimale dhe mungesën e ligjit për vlerat e UÇK-së”, thuhet mes tjerash.

Të ngjashme

Të fundit