Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi, ka hedhur poshtë deklaratën e Presidentes Vjosa Osmani, e cila kishte thënë se KQZ nuk ka qenë e përgatitur për organizimin e zgjedhjeve më 21 dhjetor.
Përmes një reagimi publik, Gashi ka theksuar se KQZ ka qenë e gatshme të organizojë procesin zgjedhor si më 21 ashtu edhe më 28 dhjetor, duke nënvizuar se anëtarët e këtij institucioni nuk janë konsultuar asnjëherë për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Sipas tij, pas takimit që Presidentja kishte zhvilluar me përfaqësuesit e partive politike lidhur me datën e zgjedhjeve, ai dhe kolegu i tij në KQZ, Arianit Elshani, janë takuar me kryetarin e KQZ-së, duke i kërkuar që të mbajë parasysh obligimin ligjor të institucionit për organizimin e zgjedhjeve sa herë që ato shpallen.
Gashi ka sqaruar se KQZ nuk duhet dhe nuk mund të jetë palë në përcaktimin e datës së zgjedhjeve, pasi kjo nuk përbën qëndrim institucional të këtij organi. Ai ka theksuar se çdo sugjerim eventual për datën e zgjedhjeve mund të ketë qenë vetëm mendim individual dhe jo vendim apo qëndrim zyrtar i KQZ-së.
Në fund, përfaqësuesi i PDK-së ka theksuar se KQZ, si trup kolegjial, nuk ka diskutuar dhe as nuk ka marrë ndonjë vendim për t’i propozuar Presidentes një datë konkrete për mbajtjen e zgjedhjeve.
Postimi i plotë:
Sqarim publik
Pas takimit të Presidentes me përfaqësues të partive politike lidhur me datën e zgjedhjeve, si anëtarë të KQZ-së, së bashku me kolegun Arianit Elshani, jemi takuar me Kryetarin e KQZ-së dhe i kam kërkuar që, nëse ftohet në konsultime nga Presidentja, të ketë parasysh dy çështje:
Së pari, ne kemi obligim ligjor t’i mbajmë zgjedhjet sa herë që ato shpallen.
Së dyti, të mos bëhet palë në përcaktimin e datës, pasi kjo nuk është qëndrim i KQZ-së dhe do të më duhej ta demantoja publikisht.
KQZ ka qenë e gatshme për zgjedhje si më 21 ashtu edhe më 28 dhjetor. Ne, si trup, asnjëherë nuk jemi pyetur nga askush për datën e zgjedhjeve.
Kushdo që e ka vënë Presidenten në lajthitje nuk ka pasur fare të bëjë me diskutimet e brendshme të KQZ-së. Çfarëdo rekomandimi ka mundur të jetë vetëm personal, nga ndonjë individ i caktuar, dhe jo qëndrim zyrtar i KQZ-së.
Prandaj, KQZ, si trup, nuk ka diskutuar dhe nuk ka marrë asnjëherë vendim për t’i dhënë Presidentes një datë për zgjedhjet. /lajmi.net/






