Drejtuesja politike e Qarkut të Fierit, Belinda Balluku, ka folur ekskluzivisht për procesin e votimit, të numërimit dhe të rezultateve të deritanishme nga zgjedhjet e 11 majit.
Balluku u shpreh se PD-ja e ka taktikë bllokimin dhe këtë e ka përdorur gjithmonë.
“Është një taktikë e vjetër që përdoret gjithmonë nga opozita për bllokim, por nuk e kam gjetur kurrë një përgjigje se për cilën arsye përdoret. Tashmë rezultati është i mbyllur, është në ato kutitë pas nesh. Çdo sekondë e humbur është një peshë në kurrizin e burrave dhe grave që janë pjesë e grupeve të numërimit, është një peshë sa i përket procesit, janë shkollat e mbyllura dhe çka është më mirë sesa të mbarojë procesi, i cili tashmë është një proces administrimi. Nuk e kuptoj ku duan të dalin, por kjo është një histori që përsëritet dhe duhet t’i vijë fundi”, u shpreh ajo për A2 CNN.
Më tej, Balluku u shpreh se mandati i 12 në Fier ishte surprizë edhe pse procesi i numërimit ende nuk është mbyllur.
“Në vitin 2021, rezultati që kemi marrë në Fier nuk konsiderohej i mirë nga PS, kështu që misioni ynë ka qenë që të punonim në të gjithë qarkun që të punonim me socialistët për të kthyer mandatin e dhjetë, atë që humbëm në vitin 2021. Në diskutime, unë arrita të kuptoja që mund të shkonim edhe më tej dhe e kishim projektuar që të shkonim edhe më tej, por nuk e kemi pritur mandatin e 12, ishte diçka e paparashikueshme. Unë dua të them dhe diçka, ne duhet të presim deri në fund të këtij procesi, pasi është një lloj kodi zgjedhor që ka sjellë një lloj mënyre tjetër llogaritje. Entuzizmin ta shfaqim në kutinë e fundit”.
Për Ballukun, PD-ja nuk do t’i njohë zgjedhjet. “Partia Demokratike nuk do të njohë as zgjedhjet, këtë e kemi dëgjuar gjithmonë. PD-ja është gjithmonë e vjedhur e dhunuar, ndërkohë që janë dhunuesit kryesorë si për gjuhën agresive dhe gjuhën e baltës që përdorin, bullizimit që bëjnë, fakteve dhe shpifjeve që bëjnë. E thënë kjo, nuk më shqetëson fare për sa kohë KQZ-ja është një institucion i pavarur”.
Në fund, ajo kritikoi kundërshtarët për gjuhën e përdorur. “Ka qenë një fushatë shumë e shëmtuar këtu nga PD-ja, nuk përfshinte as takime me popullin dhe asgjë, vetëm postime të ndyra në Facebook, postime të cilat përveç baltës politike, është një gjuhë bullizuese për gratë. Kam qenë unë target, ka qenë Zegjine Çaushi një vajzë 26 vjeç, të cilës nuk i është lënë gjë pa thënë dhe një vajzë tjetër që është quajtur kreu i bandave të Lushnjes. Unë e di që me këto histori qeshin të gjithë dhe pastaj këta befasohen me këto rezultate”, tha Balluku.