Tenderi për riparimin kapital të kalldasë së bllokut A5, iu dha kompanisë “Litwin S.A” e cila siç raportohet nuk i plotësonte kushtet.
Që nuk i plotësonte kushtet, kishte njoftuar para se t’i jepej tenderi edhe kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi përmes një bisede në një grup në platformën “Whatsapp” ku ishin krerët e shtetit, Albin Kurti, Besnik Bislimi, Artane Rizvanolli, Dejona Mihaili e Milot Krasniqi.
Në një bisedë të siguruar nga gazetari Lirim Mehmetaj, Krasniqi kishte treguar se dy kompani ndër to edhe fituesja nuk i plotësonte kushtet por që për Bislimin kjo nuk kishte rëndësi.
“Sot komisioni i ka shqyrtuar ofertat: “STEAG nuk e ka dorëzuar dosjen sipas specifikacionit dhe sipas komisionit duhet me diskualifku. “Litwin S.A” një kompani zvicerane po ashtu nuk e ka dorëzuar dosjen sipas specifikacionit dhe sipas komisionit duhet me diskualifiku. I bie që vetëm INTERING (Kosovë) i plotëson kriteret. Këta kanë kërkuar 120 ditë për kryerjen e punëve”, kishte shkruar Krasniqi.
E menjëherë për këtë kishte reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.
“A ma mirë me i respektu specifikacionet e ma na kushtu 20 milionë më shumë për shkak të vonesave, apo me marrë dikë me direct contrat që e kryen për 60 ditë”, kishte shkruar Bislimi në atë grup.
“U tha u bë”, kjo kompani mori tenderin për të mos ta kryer ende punën.
Kjo kompani ende nuk e ka përfunduar punën për të cilën është tenderuar, duke i shkaktuar kështu Kosovës dëme të shumta ekonomike pasi detyrohej të blinin rrymë.
Siç raporton Mehmetaj, me këtë kompani zyrtarë të qeverisë së Kosovës kishin njohje paraprake, prandaj edhe vjen ndërhyrja e Bislimit.