Ekrem Rudari ka dalë i pari në rezultatet përfundimtare të konkursit për pozitën “Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës së Studentëve”. Rudari, kishte masë disiplinore për keqpërdorim të pozitës zyrtare, e këtë gjë e kishte konfirmuar edhe vetë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) më datë 13 dhjetor ka shpallur rezultatet përfundimtare të kandidatëve për pozitën e drejtorit të Qendrës së Studentës.
Për çudi, kandidati me më së shumti pikë figuron militanti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ekrem Rudari, ndaj të cilit ka edhe masë disiplinore.
Sipas dokumentit të publikuar, Rudari ka marrë gjithsej 86 pikë, pasuar nga Bujar Asllani, Ileana Hoxha e Faton Bajgora.
Ministrja Nagavci në një intervistë për “Kallxo”, në shtator të vitit të kaluar, kishte pohuar se Rudari ka masë disiplinore.
Atëherë, Rudari ishte emëruar në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës së Studentëve që deri atë kohë ka qenë drejtor i palestrës sportive “1 Tetori”.
“Unë pash sot që u hapën diskutime për një vendim për ushtruesin e detyrës që e kemi caktuar dhe menjëherë brenda ditës e kuptoj që ajo masë disiplinore është bërë ndaj një individi që ka qenë sinjalizues për pretendimet për shkelje…”, thoshte Nagavci.
Ajo tha se rasti i sinjalizimit ka qenë lidhur me një tender për klimatizim në Palestrën e Sportit në Qendrën e Studentëve.
“Në rastin konkret ne kemi pasur një sinjalizim se është hapur një tender për klimatizim në Palestrën e Sportit në Qendrën e Studentëve për të cilën kërkesa nuk ka ardhur nga njësia kërkuese. Me aq sa unë jam në njohuri nëse MASHTI për shembull e kemi të hapur tenderin për ndërtime, kërkesa vjen nga infrastruktura, e kemi të hapur tenderin për sintezën vokale, kërkesa vjen nga departamenti i gjithëpërfshirjes. Pra vijnë nga njësitë përkatëse. Në rastin konkret, ne kemi pasur sinjalizimin që është hapur një tender për të cilin njësia nuk ka qenë fare në linjë. Në momentin që ka pasur sinjalizim është shqyrtuar janë marrë organet e tjera, nuk është kompetencë dhe përgjegjësi e imja”, shpjegoi Nagavci.
Ajo këtë temë e kishte konsideruar si tepër problematike.
“Ajo çka unë u informova është që gjegjësisht komisioni disiplinor ku është trajtuar një sinjalizim për dikë që ka pretenduar që ka pasur shkelje dhe është marrë një masë disiplinore unë kuptoj që në atë komision faktikisht janë tre anëtarë. Kryesuesi i komisionit ka ;pasur mendim ndryshe, pra nuk ka qenë për të marrë këtë masë disiplinore ndaj drejtorit që ka qenë sinjalizues. Njëra nga anëtarët e komisionit ka qenë familjare e afërt e ish drejtorit, njëri ka pasur mendim kundër. Më është thënë dhe kjo duhet të dokumentohet ndërkohë. Pra po flasim për një situatë tepër problematike…”.
Udhëheqësja e MASHTI-t gjithashtu u pyet se a kanë kërkuar certifikata që këta ushtrues detyre nuk janë në hetime, por Nagavci e mohoi këtë gjë.
“Jo, nuk kemi kërkuar certifikata që nuk janë në hetime sepse unë besoj që të gjithë ata që janë në hetime nuk do të duhej të ishin as në ato pozita në të cilat janë”, u përgjigj ajo./Paparaci