Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar një vizitë në shkollën “Meto Bajraktari”, ku u mbajt një program festiv i përgatitur nga nxënësit dhe stafi i shkollës, raporton EO.
Kryetari Përparim Rama përgëzoi organizimin dhe theksoi rëndësinë historike të Pavarësisë së Kosovës për brezat e rinj.
“Performancë fantastike jashtë! Ju lumtë për këtë organizim, drejtoreshë. Prindër të nderuar, faleminderit shumë, e posaçërisht nxënës të mrekullueshëm të shkollës ‘Meto Bajraktari’, faleminderit për këtë organizim që është shumë domethënës. Në një ditë para festës së madhe, festës së Pavarësisë së vendit tonë, Pavarësisë së Kosovës. Për vetëm me u ndërlidh çka domethënë kjo, Pavarësia e Kosovës. Unë i kam pasur 16 vjet në vitin 1992, tash mundeni me kalkulu sa vjet i kam sot, kur është dashtë me lënë Kosovën, Prishtinën. Pra si 16-vjeçar kam shkuar në Londër. Edhe asnjëherë atëherë nuk kam besuar, pra s’kam mujt me besu që një ditë kam me u kthy në vend edhe kemi me pas Kosovën shtet të pavarur, shtet demokratik. Ku rinia jonë ka me mujt me planifiku për të ardhmen në vendin tonë. Pra, Pavarësia e Kosovës është një mrekulli e vërtetë, të cilën sot e kemi, të cilën sot e gëzojmë. Por kjo nuk ka ardhë, nuk ka pikë prej qielli. S’ka ardhë lehtë. Ka ardhë si rezultat i punëve shumë të vështira, punëve të mëdha që i kanë bërë paraardhësit tanë. Duke filluar prej të burgosurve politikë të viteve ’60-ta, ’70-ta, ’80-ta e ’90-ta. Deri tek proceset paqësore të doktor Ibrahim Rugovës, që e kanë institucionalizu edhe e kanë ndërkombëtarizu çështjen e shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë po në gjithë Jugosllavinë. Dhe lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku së bashku me partnerët tanë ndërkombëtar, me evropianët, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe ka kulmu në Pavarësinë e vendit tonë. E sot që e kemi këtë mrekulli, pra sot që e kemi vendin të pavarur, e kemi realitet, duhet të punojmë fuqishëm”, tha ai.
Drejtoresha e shkollës, Kreshnike Kabashi, vlerësoi sakrificën historike për lirinë dhe rolin e arsimit në ndërtimin e së ardhmes së vendit.
“Sot është një ditë e veçantë për ne, dita e 17 Shkurtit. Sot e festojmë këtë festë me krenari dhe përkushtim, sepse luftuan dhe punuan, sakrifikuan të parët tanë për këtë festë. Andaj jemi mbledhur këtu. Është një ditë që na kujton sakrificën, punën dhe përkushtimin, guximin e brezave të tërë që punuan dhe flijuan për këtë vend. Pavarësia është fryt i shumë përpjekjeve dhe përgjegjësive për të gjithë ne, që ta ruajmë dhe ta zhvillojmë atë çdo ditë. Si institucion arsimor, ne kemi një mision të shenjtë, të veçantë: të edukojmë breza, të mbjellim atdhedashurinë dhe përgjegjësinë për shtetin tonë, sepse këta do jenë udhëheqësit e gjeneratave të reja. Në këtë ditë të shënuar, të reflektojmë po ashtu për arritjet tona, por edhe për detyrat që na presin përpara.
Urime 17 Shkurti të gjithëve! Le të jetë kjo ditë gjithmonë burim krenarie, shprese dhe motivimi për të vazhduar rrugën tonë që na pret, të zhvillimit dhe përparimit të vendit tonë”, tha ajo.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, theksoi se Pavarësia përfaqëson një mrekulli historike dhe një përgjegjësi për brezat e sotëm.
“Pritja madhështore jashtë sikur i humbi pak kuptimin këtyre fjalëve që i përgatisim paraprakisht. E, ajo që tha kryetari, po ashtu e plotëson gjithë atë çka unë desha të them.
Megjithatë, po ndalem veç te një fjalë e kryetarit, që tha: ‘kjo sot që kemi është një mrekulli’. Edhe vërtet kur sheh kështu: nxënës, shkolla, mësimdhënës, liri e demokracisë – s’ka si të jetë ndryshe përveçse një mrekulli, për të cilën ata para nesh kanë dhënë shumë, dikush ka dhënë gjithçka. Dhe ne sot kemi shumë borxh ndaj tyre, duke filluar nga Presidenti, dëshmorët, Ushtria Çlirimtare e të gjithë të tjerët, që amanetin e tyre ta çojmë aty ku duhet.
Nxënës të dashur, urime edhe një herë festën e Pavarësisë. E, qysh tha saktë e drejtë kryetari: ‘Na prini përpara!’”, tha Shahini.






