Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, në një konferencë për media të mbajtur para pak ditësh bashkë me homologun nga Luksemburgu, Xavier Bettel, e pyetur se kush po i paguan organizimin e takimeve me mërgatën dhe nëse të njëjtat janë fushatë, kishte thënë se organizimet në fjalë s’janë fushatë, meqë ende s’ka filluar fushata. Gërvalla në atë konferencë kishte shtuar se në momentin që do të fillojë fushata, do të ndryshojë edhe gjuha dhe përmbajtja e takimeve.
Megjithatë pa kaluar as edhe një javë, Gërvalla takimin me mërgatën në Gjermani e ka shfrytëzuar për të sulmuar opozitën. Sipas saj, ish-qeveritë s’po i pengon përmbajtja e takimeve të kryeministrit, por entuziazmi dhe ngrohtësia me të cilën po pritet kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.
Gërvalla ka thënë se ish-qeveritë jo vetëm që kishin degraduar diplomacinë, por edhe kishin përçarë, përbuzur e përçmuar mërgatën ngado që kishin shkuar.
“Por, nuk është përmbajtja e takimeve të Kryeministrit ajo që i shqetëson ata që për vite të tëra degraduan jo vetëm diplomacinë e Kosovës, por edhe përçanë, përbuzën dhe përçmuan mërgatën kudo që shkelën. Është entuziazmi dhe ngrohtësia me të cilën pritet Kryeministri dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës nga qytetarët e Kosovës në të gjithë botën, ajo që po iu pengon”, ka shkruar Gërvalla.
“Për kaq shumë vite me radhë, mërgatën dhe diasporën e trajtuan me përbuzje, përçmim dhe mungesë të skajshme të respektit. Kur ishin ambasadorë, ministra apo kryeministra, mërgatën më meritore e përjashtonin nga aktivitetet e organizuara me paratë e tatimpaguesve, duke i tkurrur listat në vetëm anëtarë të rrethit familjar të tyre, të miqve personal dhe në partnerë biznesi. Kur vinin për vizita përfaqësues të institucioneve, i dërgonin nëpër restorante dhe ndeja me pikërisht këta. Përveç shopingut, natyrisht”, ka shkruar Gërvalla sot.