Pas ndarjes nga jeta të një fanse 23-vjeçare, Ana Clara Benevides Machado në Brazil bëhet e ditur së fundmi se autoritetet në Rio de Zhaneiro po hetojnë kompaninë Time for Fun, përgjegjëse për shfaqjet e Taylor Swift. Hetimi do të shqyrtojë raportet e fansave në lidhje me strukturën e vendit të ngjarjes dhe disponueshmërinë e ujit. Vdekja e fanses ndodhi në ditën kur temperaturat ishin ekstremisht të larta, duke bërë që Swift të anulonte performancën e saj të së shtunës për shkak të temperaturave ekstreme. Shfaqja u riplanifikua për të hënën, duke i dhënë përparësi sigurisë së fansave, interpretuesve dhe ekuipazhit.

Teksa shkaku i vdekjes së Benevides Machado nuk është bërë i ditur, Time for Fun deklaroi se ajo nuk ndihej mirë në vendin e ngjarjes, mori ndihmë nga personat e parë që ndodheshin aty dhe më pas u transferua në spitalin Salgado Filho, ku ndërroi jetë. Babai i saj, Weiny Machado, kërkon sqarime nëse të pranishmëve iu ndalua të sillnin ujë në shfaqje, pasi videot kapën fansat duke kërkuar ujë gjatë koncertit. Autoritetet pritet të thërrasin organizatorët e ngjarjes për dëshmi dhe po ndërmerren hapa shtesë për të hetuar rrethanat.

Ndërkohë babai i saj është shprehur se: “Kam humbur vajzën time të vetme, një vajzë të lumtur dhe inteligjente. Ajo ishte gati të diplomohej për psikologji në prillin e ardhshëm. Nuk kam fjalë për të shprehur dhimbjen time. Ajo u largua nga shtëpia për të përmbushur një ëndërr dhe u kthye e vdekur”

.