Presidenti amerikan, Donald Trump, pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin ka përmendur sërish se ka pasur rol në ndalimin e disa konflikteve, përfshirë mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kam negociuar përfundimin e pesë luftërave”, ka thënë ai derisa është ndaluar nga gazetari i “Fox News”, i cili ia ka numëruar ato – India-Pakistan, Izrael-Iran, Ruanda-Kongo, Serbia-Kosova, Kamboxhia-Tajlanda, Azerbajxhan-Armenia.
“Ne bëmë diçka të jashtëzakonshme”, është përgjigjur Trump.
Presidenti amerikan ka thënë disa herë tashmë se ka ndaluar një konflikt në Kosovë së fundi, e se ka shpëtuar shumë jetë me këtë veprim.
“Ndalëm diçka që ishte gati të niste”, pati thënë ai më 8 gusht për konfliktin e pretenduar Kosovë-Serbi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në korrik pati pohuar deklarimet e Trumpit duke thënë se në fund të majit këtë vit ndaj Kosovës janë kryer veprime me tendencë përshkallëzuese nga Serbia.
Ajo i pati krahasuar këto veprime të ngjashme me sulmin në Banjskë.