Gjermania paralajmëroi se akte si mbyllja e Fondit të Pensioneve dhe Sigurimit Shëndetësor në Mitrovicën e Veriut e “tendosin marrëdhëniet tona dypalëshe gjermano-kosovare.”
Michael Reiffenstuel, drejtor për Ballkanin Perëndimor, Turqinë, Këshillin e Evropës dhe OSBE-në në Ministrinë e Jashtme Federale Gjermane, reagoi me tone të ashpra në platformën X, duke e cilësuar veprimin e autoriteteve të Kosovës si shqetësues.
Reiffenstuel kërkoi vetëpërmbajtje të menjëhershme nga hapa të tillë, teksa kujtoi se veprime të tilla “bien ndesh me obligimet dhe zotimet e saj ndaj BE-së.”
“Bëjmë thirrje urgjente Kosovës që të përmbahet nga shënjestrimi i institucioneve shëndetësore të drejtuara nga Serbia. Veprimet shqetësuese të javës së kaluar ndikojnë negativisht mbi vetë qytetarët e Kosovës, bien ndesh me obligimet dhe zotimet e saj ndaj BE-së dhe tendosin marrëdhëniet tona dypalëshe gjermano-kosovare.” – shkroi ai.
Calling urgently on Kosovo to refrain from targeting Serbia-run health institutions. Last week’s worrying actions negatively affect Kosovo’s own citizens, go against its obligations and commitments towards EU & put a strain on our bilateral 🇩🇪🇽🇰relations.
— Michael Reiffenstuel (@GERonWEB) September 15, 2025
Paralajmërimi i Gjermanisë vjen vetëm pak ditë pasi ShBA-ja vendosi të puzullojë Dialogun Strategjik me Kosovën – dhe atë deri në një kohë të pacaktuar.
“Shtetet e Bashkuara e kanë pezulluar për kohë të pacaktuar Dialogun e tyre të planifikuar Strategjik me Kosovën për shkak të shqetësimit rreth veprimeve të qeverisë në detyrë, të cilat i kanë rritur tensionet dhe jostabilitetin, duke e kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta” – thuhet në komunikatën e Ambasadës Amerikane.
ShBA përmendi se veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Albin Kurti kanë vënë në rrezik përparimin e arritur ndër vite, duke e komprometuar mjedisin e bashkëpunimit.
“Marrëdhënia jonë me Kosovën është e mbështetur në një qëllim të përbashkët: fuqizimi i paqes dhe stabilitetit si një bazë për mirëqenie të përbashkët ekonomike. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida ndaj progresit të bërë ndër shumë vite”.
Vendimin e institucioneve të Kosovës për të mbyllur zyret e fondeve serbe për sigurime shëndetësore dhe pensionale në veri të Kosovës, i dënoi të shtunën edhe Bashkimi Evropian, duke e cilësuar këtë “si një veprim tjetër të pakoordinuar nga Qeveria.”
“Kjo përbën edhe një veprim tjetër të pakoordinuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës kundër strukturave të tilla dhe është në kundërshtim me obligimet dhe zotimet e Kosovës karshi BE-së. BE-ja vazhdimisht ka deklaruar se statusi i tyre duhet të zgjidhet në linjë me dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, marrëveshjet e arritura dhe ligjet e Kosovës”, u tha në deklaratë.