RCD Mallorca po kalon një nga periudhat më të vështira të sezonit, pas dy paraqitjeve zhgënjyese ndaj Gironës dhe Rayo Vallecanos, që e kanë afruar skuadrën pranë zonës së rënies nga kategoria. Situata u tensionua edhe më shumë të dielën, pas reagimeve të tifozëve në stadium.
Në këtë kontekst, sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka folur për radion COPE, duke u bërë thirrje tifozëve për bashkim dhe mbështetje në këtë fazë vendimtare të sezonit.
“Nëse i prishim lidhjet me tifozët me edhe 19 ndeshje për t’u luajtur, atëherë kemi mbaruar”, u shpreh Muriqi, duke theksuar se e kupton frustrimin e tifozëve, por është i bindur se situata mund të ndryshojë.
Pavarësisht se ka realizuar 11 gola në gjysmën e parë të sezonit, një rekord personal, Mallorca nuk ka arritur të përmirësojë ndjeshëm renditjen.
Megjithatë, Muriqi beson në një gjysmë të dytë shumë më pozitive dhe kujton mbështetjen vendimtare të tifozëve në sezonet e kaluara, sidomos gjatë mbijetesës dramatike nën drejtimin e Javier Aguirres.
Sulmuesi 30-vjeçar minimizoi edhe incidentet me tifozët, duke theksuar se bisedat kanë qenë kryesisht të qeta dhe konstruktive. Ai pranoi se skuadra po vuan nga mungesa e besimit dhe krijon pak raste, por garantoi se lojtarët janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë.
“Askush në skuadër nuk dëshiron të humbasë. Është detyra jonë ta ndryshojmë situatën”, shtoi ai.
Muriqi u shpreh i pakënaqur edhe me disa vendime të arbitrave, veçanërisht për faullet në duelet ajrore, ndërsa për rolin e liderit theksoi se nuk ka nevojë për shiritin e kapitenit për të udhëhequr skuadrën.
“Gjithmonë kam qenë lider. Qëllimi i vetëm është fitorja dhe unë përpiqem të ndihmoj ekipin në çdo mënyrë”, përfundoi Muriqi.
Mallorca gjindet në pozitën e 17-të në tabelën e LaLigas pas 19 ndeshjeve të luajtura.






